Opinione

Ballina / Opinione / Komente
100 vjet rrugë për të arritur në Çamëri
Uk Lushi Publikuar: 29.09.2014 - 16:34

Verë. Avenyja e Gjashtë e qytetit të New Yorkut është tërësisht e mbuluar me ngjyrat kuq dhe zi ndërkaq qiellgërvishtësit që e kufizojnë nga të dy anët dridhen ngazëllyeshëm nga tinguj të muzikës shqiptare.

Qindra fëmijë, djem, vajza, gra dhe burra shqiptaro amerikanë marshojnë krahas mijëra njerëzve tjerë në Paradën Vjetore të Imigrantëve të

Amerikës. Nga vendqëndrimi im shoh teksa nga deti kuqezi veçohet një burrë që ecën asfaltit por duket sikur fluturon. Ka të veshur qillotë 70 palëshe të bardhë si bora e kreshtave të Alpeve të Shqipërisë, bluzë të bardhë të mbuluar me xhamadan të zi të qëndisur me ojna ari, shokë shtatë-ngjyrëshe, në kokë mban festen e bardhë me bisht sipër dhe mbathur ka opinga të zeza me xhufka të kuqe në maje. Është një çam.

Mos qenka ringjallur Osman Taka? Trilleve të botës së përtejme s’u dihet kurrë: ndoshta valltari i njohur nga Filati ka pasur mall dhe ka ardhur për një valle në këtë botë?

Osman Taka, një ndër udhëheqësit kryesorë të Lidhjes së Prizrenit nga Çamëria, por edhe një valltar i rrallë, një ditë u zu rob nga osmanët dhe dënua me varje.

Para se të ekzekutohej ai shprehu dëshirën e tij të fundit të kërcente një valle. Të pranishëm ishin edhe valiu i Janinës me gruan e tij. Duke qenë se dëshira e fundit përpara vdekjes nderohej, atëherë i sollën fustanellën, festen, një krehër për flokët dhe një shami ta tundte me dorë. U gjet një orkestër me klarinetë, violinë dhe dajre.

Kryengritësi shqiptar filloi me ngadalë të lëkundej si valët e detit në pranverë dhe mandej u hodh përpjetë dhe u përkul në shpinë me kokë në tokë si një urë. I magjishëm, duke u rrotulluar zhdërvjelltshëm për 360 shkallë me elegancë, i la të habitur shikuesit me aftësitë e tij, midis tyre gruan e guvernatorit, e cila ju lut të shoqit t’i falte jetën valltarit të pashoq. Kështu u përjetësua guximtari i Epirit dhe kështu kjo valle hyri në folklorin çam si Vallja e Osman Takes.

Por, ndonëse ndjeshmëria femërore e largoi nga vdekja, zemërluani, menjëherë pas lirimit, ju ribashkua luftës kundër osmanlinjve dhe nuk e reshti derisa u vra si një hero në betejën e Konispolit me 1887.

I përhumbur në xurxullinë e udhëtimit prapa dhe para në kohë, ju afrova dhe ju prezantova burrit çam që po hapëronte Avenysë së Gjashtë si të mos ekzistonte gravitacioni i tokës. “Quhem Sali Bollati. Jam nga Paramithia e
Çamërisë.”— tha ai. Ndërsa shkëmbyem numrat e telefonit pa dvetje të hollësishme vura re që njeriu para meje kishte një fytyrë të ëmbël dhe shikim që rrezatonte diçka të mistershme, të pakapshme në çast.

Kanë kaluar gati 10 vjet nga takimi ynë i parë, por, pas asaj pjekje dhe dhjetëra tjerash prej asaj dite, unë tashmë e kam kuptuar shumë mirë thellësinë dhe intensitetin e shikimit të tij. Jeta, vuajtjet dhe triumfi i Sali Bollatit mbi kërdinë ndaj tij dhe njerëzve të tij janë arsyeja. Veç kësaj, për më rëndësishëm, bile mund të thuhet që mbijetesa e çamit të mirë nga Paramithia është dëshmia më e dëlirë e historisë së dhimbshme të krejt Çamërisë.

Sipas rrëfimeve të Bollatit, gjithçka fillon me datën 27 qershor 1944 kur ai ishte vetëm 7 vjeç. Nata ishte duke ikur nga vendlindja e tij Paramithia dhe ferku i agimit sapo kishte nisur të lindte.

Në dhomën e fëmijëve që përkundeshin në ëndrra sakaq futet me furi nëna e tyre, Betulla, dhe ju thërret: “Ngrihuni dhe vishuni sa më shpejt, sepse na duhet të
ikim!” Ndërsa e vesh motrën e vogël, Magbulen, ajo arrin të mbledhë një bohçe me plaçka dhe të gjithë, përfshirë kryefamiljarin, pa vënë gjë në gojë, largohen me vrap nga
shtëpia që gjendet në krye të qytezës.

Duke dihatur nëna dhe babai me zogjtë e tyre arrijnë në shtëpinë e dajës, Muhamet Bako, në qendër të Paramithisë. Pas disa minutash aty ja qetis edhe djali i xhaxhait të nënës, Qazimi, dhe i alarmuar i drejtohet babait: “Braho, çfarë bën ti këtu?! A nuk e more vesh që zervistat ja nisën vrasjeve? Mbath këpucët dhe hajde të fshihemi!” Por ati i familjes përgjigjet: “Është e pamundur të lejë gjithë familjen vetëm. Ne nuk u kemi bërë asnjë të keqe grekëve. Përkundrazi, i kemi ndihmuar vazhdimisht.” Dajë Qazua ikën nga skena dhe kjo i shpëton jetën më vonë.

Nuk kalojnë shumë çaste dhe te dera e jashtme dëgjohen mtrokitje të rënda si tunxhi. Babai që del të hapë portën rrëmbehet ashtu zbathur nga njerëz të armatosur dhe zhduket nga shikimi i fëmijëve dhe nuses së tij për sa të jetë jeta jetë. Mbas torturave të tmerrshme pushkatohet në oborrin e shkollës dhe gjuhet në një varr të përbashkët me trupat e qindra paramithiotëve tjerë.

Nëna e shkretë, si një shqiponjë e plagosur në zemër, e shqetësuar dhe alarmuar vendosë të kthehet në fole, te shtëpia e familjes. Në rrugë e sipër, Ferhati, vëllai më i madh i familjes, ndalon te shtëpia e Hallë Shazos, për të takuar kushëririn dhe bashkëmoshatarin e tij 13 vjeç Avniun; por zervistat që ishin duke u futur nga ana e prapme u lëshohen në ndjekje dhe ndërsa ata tentojnë të fshihen prapa disa kaçubave ekzekutohen me rafal. Kur arrijnë në shtëpinë e lindjes nëna dhe fëmijët shohin hatanë tjetër: gjyshi, Muharremi 82 vjeç, ose si nipërit dhe mbesat e quanin me respekt— Baba Efendiu, është i shtrirë dhe i mbuluar në gjak, i masakruar. Nëna e llahtarisur hedh në krah të vegjlit e saj dhe merr ikën drejt ndërtesës së vjetër të Medresës, ku janë mbledhur e bërë shuk dhjetëra familje tjera të trembura që dridhen si thuprat në ujë nga frika se ç’u është shkruar.

Pas disa orësh një zervist i armatosur dhe me dy thika në duar i urdhëron të gjithë sa janë brenda të dalin në oborr dhe pa lëshuar asnjë zë. Përjashta, te porta e madhe, është i pozicionuar një mitraloz.

Nëna e gjorë duke mos ditur ç’të bëjë tjetër, shtrëngon çapaçulët e saj në gji, dhe, fillon t’i lutet Zotit për ndihmë. Një zervist tjetër shfaqet në ndërkohë dhe pasi bisedon me mitralozxhiun, ky i fundit largohet nga prita. Njerëzit ndiejnë një vakësi shprese në zemra dhe mendojnë që Zoti, me gjasë pasi i kishte dëgjuar lutjet e tyre, kishte vendosur t’i shpëtonte.

Mirëpo jo! Ndërhyrja hyjnore nuk kishte ndodhur— të gjithë ishin në dorën e robërve të Zotit që kishin armë. Një oficer zervist i afrohet nënë Betullës dhe e tërheqë atë dhunshëm. Në ahtin e fundit të pashpresës ajo nxjerr nga gjoksi të vetmen fotografi të burrit të saj tanimë të vrarë dhe ja jep Sali Bollatit të vogël ndërkaq që vogëlushi provon ta nxjerr të ëmën nga kthetrat e oficerit të pashpirt. Prej asaj dite dhe deri më sot djali do ta ruajë atë fotografi si një gjësend të shenjtë, më të shenjtin mbi gjithçka të shenjtë.

Pas një ore, Qerimeja 10, Saliu 7, Faruku 5 dhe Makbulja 2 vjeçe, mësojnë se nënë Betulla, ende grua e re 36 vjeçe, ishte pushkatuar brenda Xhamisë së Bollatëve. Njerëzimit sapo i janë shtuar katër jetimë të rinj.

Vargani i dhimbjes dhe absurditetit kriminal njerëzor nuk këputen këtu. Rrëfimet e Sali Bollatit bëhen edhe më të zeza. Paramilitarët dhe ushtarët zervistë i marrin katër bonjakët dhe së bashku me rreth 200 veta i mbyllin në Shtëpinë e Madhe të Muhedinëve që e shndërrojnë në kamp përqendrimi.

Aty, ata takojnë Teze Zydidenë, e cila i merr nën kujdes bashkë me djalin e saj 3 muajsh, Tahsinin, mbasi kishte mbetur e ve sepse burri i saj— Nelo 27 vjeç— ishte vrarë po atë ditë. Disa fqinjë duke ditur pafajësinë e tyre ngrihen mbi nivelin e kafshërisë zerviste dhe u sjellin një djep për foshnjën dhe ca rrobe për çamarrokët e çmeritur. Mirëpo bashkëqytetarët nuk kishin asnjë fuqi të ndikonin në epshin për gjak të zervistëve. Mungesa e ushqimit dhe kushtet higjienike jonjerëzore shkaktojnë dy-tri vdekje në ditë. Gjyshja e Sali Bollatit Rukija 72 vjeçe dhe motra Makbule 2 vjeçe vdesin të dyja në të njëjtën ditë.

Bollati tregon se pas disa muajsh mizorie dhe vuajtjesh të papërshkrueshme në kamp arrijnë ushtarët anglezë të cilët sjellin disa ushqime dhe ilaçe. Jetesa në izolim bëhet një çikëz më e përballueshme.

Në nëntor 1944, anglezët u ofrojnë opsionin të shkonin si refugjatë në Turqi, Egjipt ose Angli. Sali Bollatit i ndrijnë sytë kur rikujton që të gjithë të burgosurit u përgjigjen njëzëshëm se ishin shqiptarë dhe dëshironin të shkonin në mëmëdheun e tyre, në Shqipëri, dhe në asnjë vend tjetër. Ndërsa ushtria britanike po i ngarkonte në kamioneta të ndjekurit nga vendlindja e tyre duke qenë të detyruar të braktisin gjithë ç’kishin, disa gra komshinje u sjellin ca tesha dimri që të mos vdesin rrugës.

Shumica e grave ishin shqiptare të krishtera. Vendndalimi i parë është Gumenica ku refugjatët strehohen në magazinat e portit. Ndërsa po flinin, zervistët provojnë të rrëmbejnë vajzat, por të dëbuarit luftojnë me dhëmbë e thonj dhe kur dëgjojnë zhurmën dhe lebetitjet ushtarët anglezë intervenojnë dhe i shpëtojnë edhe njëherë.

Nga Gumenica, çamët e ndjekur, të nesërmen, arrijnë me katër anije në Sarandë, dhe prej aty në Himarë. Pas ca kohësh, familjen e Sali Bollatit shteti shqiptar e çon në Vlorë, ku i vdes edhe një vëlla që ishte sëmurë gjatë kravatave disamujore. Kështu nga një familje e shëndoshë dhe lumtur me nëntë anëtarë, mbeten vetëm dy: motra Makbule 10 dhe vëllai Sali 7 vjeç.

Pas sistemimit në Republikën e Shqipërisë, motra do të rritet në shtëpinë e dajës ndërsa Sali Bollati në Shtëpinë e Fëmijës në Tiranë.

Njeriu është më i fortë se çeliku. Sali Bollati, si çamët tjerë që ua vodhën vendlindjen, nuk do të dorëzohet kurrë. Pasi mbaroi Gjimnazin e Shkodrës, me 1960 diplomon si inxhinier kimist në Bratisllavë dhe me t’u kthyer fillon punë si pedagog i Kimisë Analitike në Fakultetin e Shkencave. Mirëpo me 1966 nis aksioni “edukimi klasor” i intelektualëve dhe profesori i ri degdiset në Uzinën Kimike në Fier, prej andej në Vorre, dhe, më së fundi, me 1980, e rikthejnë në Tiranë.

Me rrëzimin e diktaturës me 1991, ai bashkë me patriotë tjerë themelojnë Shoqatën Atdhetare “Çamëria”, por shteti amë si për sarkazëm metaforik me 1993 e qet në pension të parakohshëm. Ngjarjet shumë të hidhura të vitit të keq 1997 e godasin në zemër dhe pas avokimit disa vjeçar për çështjen e Çamërisë dhe edhe me mbështetjen e shtetit amerikan, Bollati, në vitin 1998, zhvendoset në SHBA ku vazhdon të jetë aktiv si dëshmitar dhe provë e gjallë e krimit grek mbi Çamërinë. Në Amerikë ai bëhet kasnec i besimit që çamët, një ditë të afërt, do të marrin atë që është e tyre dhe përsëri do të jenë zotët e pronave dhe vendlindjes së tyre prej ku u shkulën me vdekje, hekur dhe zjarr.

Sipas Bollatit, dokumentet e Departamentit të Shtetit të SHBA-së të arkivuara në Dosjen Nr. 84/3, të hartuara nga zyrtarët e Misionit Amerikan në Tiranë në vitet 1945-46 thonë: “[A]utoritetet në Greqinë perëndimore gjatë vitit 1944 dhe në muajt e parë të vitit 1945 kryen masakra brutale duke dëbuar me dhunë më shumë se 25 000 banorë të Çamërisë nga shtëpitë e tyre ku kishin jetuar me shekuj dhe pastaj, pasi ju rrëmbyen tokat dhe pasuritë, u nxorën jashtë kufirit. Shumica a të vrarëve ishin fëmijë dhe pleq.”

Njeriu i dëbuar nga vatra e të parëve e mendon dhe ëndërron vendlindjen çdo ditë. Krimi grek ndaj çamëve bëhet edhe më i pështirë sepse shteti grek edhe pas 70 vitesh të gjithë ata çamë që në pasaportat e tyre shqiptare kanë të shkruar vendbanimet e krahinës së Çamërisë si vendlindje nuk u lejon hyrjen në Greqi. Kjo ndalesë absolutisht e padrejtë dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut vazhdon të aplikohet nga Greqia edhe në shekullin e XXI-të.

Por Sali Bollati e kishte ndarë mendjen që ta vizitonte Paramithinë e bukur jo vetëm në gjumë. Ai i kishte vënë vetes kushtin që s’do të jepte shpirt pa parë parajsën dhe tokat e fëmijërisë së tij sërish.

Dhe, falë posedimit të pasaportës amerikane, ai e mundi shtetin helen. Siç e dinë të gjithë ata që kanë lexuar librin e Homerit, Odiseut i merr 20 vjet të shohë prapë Itakën e tij të shtrenjtë. Sali Bollatit i mori 67 vjet të shohë të tijën përsëri.

Në shtator të vitit 2010, së bashku me shoqen e jetës, Bule Pronjo, e cila ishte bebe 6- muajsh kur humbi babain e saj dhe u dëbua nga Çamëria si burri i saj, dhe djalin e tezës, Dr. Tahsin Demi, Sali Bollati nis udhëtimin e tij të kthimit në shtëpi.

Treshja me të kaluar kufirin shtetëror Shqipëri-Greqi dhe me të hyrë në dheun e Çamërisë shpërthejnë në lot gëzimi dhe hidhërimi njëkohësisht. Para tyre shfaqen fushat me pemë frutore dhe ullinj me më shumë kokrra se gjethe, kodrinat e gjelbra, livadhet me bar deri në gju dhe deti me ujë transparent kudo. Stacioni i parë i ndalimit të Odiseut çam me bashkërrugëtarët është Filati.

Aty ata vërejnë shumë shtëpi të reja, por edhe sosh gjysmë të rrënuara, që janë pronë e refugjatëve çam. Në Filat të tre bëjnë përpjekje të flasin shqip me kamarierin, por ai i informon se nuk ishte vendas dhe vazhdon me punën e tij sikur të mos dinte asgjë për të kaluarën e afërt të regjionit ku punon.

Stacioni i dytë është Paramithia. Kulla 400 vjeçare e Bollatëve është akoma aty e ri-funksionalizuar në Muze të qytetit. Puq me të, shtëpia e lindjes së Sali Bollatit, e zaptuar nga banorë të paligjshëm. Dera e vjetër e shtëpisë është demoluar dhe në vend të saj qëndron një portë hekuri e mbyllur me çelës.

Fusha përtej shtëpisë ku fëmijët loznin është e mbuluar me shkurre dhe ferra. Kopshtet dhe radhët me ullinj e fiq janë lënë në dorën e natyrës dhe gati janë mbuluar nga ferrat dhe gjembaçet. Prej shtëpisë së Bollatëve, trio vazhdon te shtëpia e lindjes së Tahsinit. Mbi rrënojat e shtëpisë së tij është ngritur një e re.

Kur Dr. Demi e konfronton “pronaren” se ajo kishte ndërtuar në tokë dhe themele të huaja, zonja gjegj se ajo ishte e ardhur në Paramithi nga tjetërkund dhe nuk dinte e kujt ishte “toka e saj”! Me idhtësim në trupat e tyre, idhtësim të cilin mund ta kuptojnë vetëm të zhvendosurit me dhunë dhe azilantët në mbarë planetin tonë, dy burrat dhe Bulja nisen për te Sarajet e Pronjove, familje nga e cila rrjedh gruaja e Sali Bollatit. Këtu nuk shohin njeri të gjallë t’i shtrojnë një pyetje të vetme.

Prandaj, prej aty, ecin për te varrezat. Por varret, sikur edhe 9 xhamitë e Paramithisë së para 70 viteve, nuk janë më. Janë bërë gërmadha dhe mbi to janë ndërtuar ose shtëpi ose rrugë.

Mbi gropën, në të cilën ishin mbuluar me dhe trupat e 600 viktimave të xhelatit Zervas dhe larove e lakenjve të tij, pra varrin masiv të çamëve paramithiotë të masakruar, ka mbire një fushë basketbolli. Greqia ka pasur dhe ka frikë jo vetëm nga çamët e gjallë, porse edhe nga çamët e vdekur dhe të varrosur. Shteti i helenëve modern ka ankth që nëse edhe një gjurmë do të mbetet si dëshmi për gjenocidin, historia dhe drejtësia do të godasin, prandaj përpos fshehjes së vrasjeve duhet zhdukur edhe kufomat dhe çdo provë tjetër.

Stacioni i tretë i udhëtimit është Parga. Qyteti i mahnitshëm gumëzhin me njerëz: turistë dhe vendës. Trio refugjate shkojnë për darkë te restoranti i Grigorit, i cili bashkë me vëllain Thimion—si kallëzon Sali Bollati në memoaret e tij— u flasin shqip dhe u zbusin etjen të dëgjojnë gjuhën e nënës në copën e dheut të lindjeve të tyre. Te Kalaja e Pargës takojnë një plak që u thotë: “Unë jam Panua nga Shën Djella, fshat këtu afër. U dëgjova që flisni gluhën tënë, e mirë se na keni ardhur. Ne në fshat të gjithë këtë gluhë flasëm, bile edhe me priftin ashtu meremi vesh.”

Stacioni i katërt dhe pestë janë Preveza dhe Margëlliçi. Si kudo tjetër në sagën e Sali Bollatit dhe Çamërisë edhe aty: dhimbja e historisë përzihet me mrekullinë e bukurisë së natyrës dhe nostalgjia me besimin se drejtësia do të vihet në vend për çamët e ndjekur.

Pas disa ditësh tre pelegrinët, përmes Korfuzit, kthehen në Sarandë, në Shqipërinë mëmë. Për ironi perfekte të rrëfimit të Sali Bollatit, në Sarandë nga Tirana u telefonon kushëriri Faiku, i cili i këshillon që të kenë kujdes kur të kalojnë nëpër Himarë sepse atje ka vajtur Peshkopi Janullatos me grekër të tjerë. Hirësia e tij nuk kishte gjetur kohë të asistonte në përshpirtjen për 2900 çamët e masakruar që do të mbahej në Tiranë, por e kishte parë më të vlefshme që atë të diele të shkonte në Himarë pasi që një shtetas kishte vdekur si rezultat i një aksidenti para 40 ditësh! Siç e përshkruan Sali Bollati me sinqeritet në dëshmitë e tij të shkruara, udhëtimi për në shtëpinë e tij përfundon pa mundur të hyjë në shtëpi. Por Bollati megjithatë arrin deri te pragu.

Ç’ është më me rëndësi, ai ende e vazhdon udhëtimin e tij për t’u kthyer në shtëpinë e tij. Dhjetëramijëra çamë si ai besojnë që e mira do të ngadhënjejë mbi të keqen, drejtësia mbi padrejtësinë, miqësia mbi armiqësinë. Përpjekjet herkuleane të çamëve për drejtësi kanë sjellë problemin e Çamërisë në qendrën e vëmendjes së botës dhe Greqisë dhe ata nuk do të ndalojnë ecjen e tyre deri në arritjen e qëllimit, edhe nëse duhet të ecin edhe 100 vjet derisa të arrijnë në Çamëri.

Problemi i shqiptarëve çam— i pazgjidhur— është turp për Greqinë, shqiptarët dhe krejt njerëzimin. Zgjidhja e tij është fitore e grekëve, shqiptarëve dhe njerëzimit mbarë. Grekët ngulmojnë që çamët u dëbuan sepse bashkëpunuan me pushtuesit nazi-fashistë.

Por kjo nuk është e vërtetë dhe nuk justifikon pogromin gjenocidal. Sigurisht që grekët nuk kontrollojnë monopolin e gabimeve, ngase gabime, sidomos gjatë periudhës kur nazi-fashistët ishin armiq edhe të grekëve edhe të shqiptarëve, kanë bërë edhe një pakicë çame. Por burimet gjermane nga koha e Luftës së Dytë Botërore vërtetojnë që realizuesi i masakrave kundër çamëve gjenerali Napoleon Zervas ka bashkëpunuar dhe vetë për një kohë me gjermanët okupatorë.

Pyetja që duhet shtruar të gjithë akuzuesve për kolaboracionizëm të shqiptarëve çam është se si paskan qenë Sali Bollati 7, vëllai i tij i pushkatuar 13 apo motra 2 vjeçe bashkëpunëtorë me sulmuesit nazi-fashistë?! Pastaj pse u ekzekutuan dhe ndoqën të gjithë çamët e besimit islam; pse nuk u hodhën në gjyq ku mund të dëshmohej (pa)fajësia e tyre?! Grekët dhe shumë popuj tjerë të Ballkanit kanë vështirësi ta konceptojnë faktin se një popull mund të jetë multifetar. E po ja që mundet dhe është më mirë të jetë ashtu.

Ne shqiptarët jemi. Çamët nuk kanë shikuar dallimet fetare fare: p.sh. fiset e Rojbatëve, Kleftatëve apo familja shumë e pasur e Pronjove janë të përziera me martesa të çamëve ortodoksë dhe atyre myslimanë për breza e breza.

Bota dhe njerëzimi bashkëkohor ka filluar t’i korrigjojë gabimet e të kaluarës. Problemi çam është shpaluar para ndërgjegjes së njerëzimit. Qeveritë e Greqisë dhe Shqipërisë duhet të trajtojnë atë seriozisht. Refugjatët çam nuk mund të mbesin refugjatë të përjetshëm.

Udhëtimi i kthimit të tyre në shtëpi nuk mund të zgjas përgjithmonë. Sali Bollati luftoi 67 vjet të kthehej dhe vetëm shihte shtëpinë e tij. Pasardhësit e tij dhe të gjithë çamëve, me përkrahjen dhe ndihmën e të gjithë njerëzve me ndjenjën për drejtësi, nuk do të ndalen deri në ditën që të gjithë çamët do të marrin prapa pasuritë e tyre.

Shkrimtari amerikan Ernest Hemingway e ka një proverb lapidar që thotë: “Njeriun mund ta asgjësosh por nuk mund ta mundësh”. Sali Bollati dhe të ndjekurit nga Çamëria janë prova të vërtetësisë së aksiomës së Hemingwayt dhe ata do të kthehen në Çamëri, edhe nëse udhëtimi i tyre për atje do të marrë edhe 100 vjet!


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Opinione
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
[email protected] | [email protected] | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51