Kultura

Ballina / Kultura / Kultura
Mbrëmje letrare për poezinë e Jamarbër Markos në Londër
Burhan Lata Publikuar: 29.09.2014 - 16:35


Në ambientet e lokalit ‘Poem’ në Londër u mbajt një Mbrëmje letrare për dy përmbledhjet me poezi të poetit Jamarbër Marko, ‘Pro Nobis’ dhe ‘Rastësisht, me dashje’, të botuar nga Shtëpia Botuese ‘PA’. Kjo veprimtari u organizua nga ‘Qendra Shqiptare’, e cila sapo ka nisur veprimtarinë e saj në Britaninë e Madhe.

Hapjen e Mbrëmjes e bëri profesori, Agim Morina, i cili në fillim tregoi për punën rreth organizimit të shoqatës ‘Qendra Shqiptare’ në Londër dhe planeve që ka kjo shoqatë në të ardhmen për organizimin e veprimtarive të ndryshme kulturore.

Në vazhdim botuesja e dy veprave të poetit j. Marko, znj. Feride Berisha, foli për jetën dhe veprën e poetit. Ajo tregoi se J. Marko si biri i shkrimtarit të njohur, Petro Marko dhe piktores Safo Marko, megjithëse, bir i një shkrimtari të madh në prozë, vetë Jamarbëri krijoi një profil të madh si poet. Ai studioi gazetarinë por menjëherë pas kryerjes së studimeve u arrestua dhe u dënua me shtatë vite. Burgun e vuajti në burgun famëkeq të Spaçit. Pas daljes nga burgu punoi si hamall në kinostudion ‘Shqipëria e Re’. Në vitin 1991 pësoi një aksident të rëndë, rrethanat e të cilit mbeten të dyshimta, nëse ishte vërtet një aksident apo një veprim i qëllimshëm. Vdekja e tij e hershme ndodhi në vitin 2010.

Poezia e Jamarbër Markos i takon asaj të ashtuquajturës ‘letërsi e sirtarëve’, e shkruar në kushte shumë të vështira dhe e mbetur e pabotuar. Poezia e tij veçohet me çiltërsinë dhe pasurinë figurative. Vargu i tij është i mprehtë, i dendur dhe zakonisht i shkurtër. Kjo e bën këtë poet që të radhitet ndër poetë të mëdhenj, përfundoi paraqitjen e saj znj. Feride Berisha.

Shtëpia Botuese ‘PA’ deri tani ka botuar rreth tetëmbëdhjetë vepra, me autorë shqiptarë e të huaj, duke u bërë urë lidhëse kulturash të ndryshme, por duke afirmuar, gjithsesi, autorët shqiptarë që kanënjë qasje në krijimtarinë e tyre. Ndër autorë të botuar deri tani janë emra të njohur të letërsisë si, Adrian Christian Kyçyku, Gëzim Aliu, Blerina Rogova Gaxha etj. E nga autorët e huaj, Hans Fallada, Stephane Hesseli etj.

Në pjesën tjetër pjesëmarrësit dëgjuan recitimet të shkëlqyeshme të poezive të përzgjedhura nga dy veprat e Jamarbër Markos, nga z. Sami Islami, i cili recitoi nga vepra ‘Pro Nobis’, dhe znj. Teuta Skënderi, e cila recitoi poezi nga vepra ‘Rastësisht, me dashje’. Përcjelljen e recitimeve me tinguj të muzikës e bëri vogëlushja e talentuar, Rina Bejtullahu.

Mbrëmja kaloi në një atmosferë të këndshme, në të cilin u zhvillua edhe një bashkëbisedim i ngrohtë me publikun rreth anëve të ndryshme të jetës dhe veprës së poetit Jamarbër Marko.

Londër, shtator 2014


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Kultura