Sporti

Ballina / Sporti / Vendore
Shembull, Shqipëria
Valon Konushevci Publikuar: 30.09.2014 - 11:00

Ekspertët e futbollit kosovar konsiderojnë se janë disa faktorë që po u hapin rrugë incidenteve të shpeshta në futbollin kosovar, siç ishte ai i së dielës në derbin Trepça – Prishtina, i ndërprerë shkaku i trazirave që shkaktuan tifozët.

 

Sipas tyre, mungesa e Ligjit kundër Huliganizmit, e mbi të gjitha dënimet e “buta” të zakonshme të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ndaj shkaktuesve të ekseseve, janë faktorët kryesorë që po i lejojnë ndodhitë e tilla skandaloze e të turpshme.

Njohësit e futbollit thonë se shtëpia e futbollit kosovar duhet t’i ashpërsojë dënimet ndaj atyre që shkaktojnë incidente, njësoj siç po bën viteve të fundit Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF).

Para pak ditësh, FSHF-ja i dënoi shumë ashpër Vllazninë e Tiranën, për një përleshje ndërmjet tifozëve brenda dhe jashtë stadiumit “Loro Boriçi”. Përveç dënimeve me të holla, FSHF-ja e dënoi Vllazninë me dhjetë ndeshje pa tifozë, kurse Tiranën me pesëmbëdhjetë ndeshje. Po ashtu, tifozët e Tiranës u dënuan me mospjesëmarrje në aktivitetet e FSHF-së për gjithë edicionin.

Ekspertët thonë se kësi dënime duhet të shqiptojë edhe FFK-ja.

“Bile, në dallim prej Shqipërisë, ne në Kosovë jemi vonuar në lidhje me sanksionimin adekuat të atyre që shkaktojnë incidente të tilla. FSHF-ja po i ndëshkon ashpër, edhe pse e ka atë mundësi që një pjesë të dënimit i ndëshkuari ta paguajë me para. Por, është koha e fundit të rishqyrtohen rregulloret tona dhe ato të jenë shumë më të ashpra për ata që shkaktojnë eksese”, deklaroi për “Zërin” trajneri i njohur, Afrim Tovërlani. Ai thekson se këto eksese janë duke e sfiduar seriozisht procesin e anëtarësimit të Kosovës në UEFA e FIFA. “Jemi duke kërkuar me ngulm anëtarësim në UEFA e FIFA, andaj këto dukuri duhet të ndërpriten, gjë që është deshtë të bëhet më herët. Përndryshe, konsideroj se ky eksesi i fundit ka qenë shuplaka më e rëndë që e ka goditur futbollin kosovar viteve të fundit”, theksoi Tovërlani, i cili në edicionin e kaluar, kur e udhëhiqte Prishtinën ishte goditur me diçka të fortë në kokë, po në Mitrovicë.

 FFK: Rregulloret janë adekuate

 Në anën tjetër, FFK-ja insiston se rregulloret e saj janë adekuate edhe për shkaktuesit e ekseseve. “FFK-ja ka rregullore të mira, por duhet të zbatohen prej të gjitha palëve. Për shembull, klubet nuk po i zbatojnë përgjegjësitë që u takojnë me Rregullore rreth ndërmarrjes së masave të sigurisë, sigurisht shkaku i krizës financiare. Por, nëse këto Rregullore të FFK-së zbatohen prej të gjitha palëve, unë mendoj se kësi probleme nuk do të kishim”, tha për “Zërin” nënkryetari Bekim Haxhiu.

 Haxhiu insiston në Ligjin kundër Huliganizmit

 Bekim Haxhiu njihet për zërin e lartë ndaj huliganizmit. Nënkryetari i FFK-së, si deputet i Kuvendit të Kosovës, ka iniciuar shumë debate për sport në Parlament dhe ishte insistuesi më i madh i përpilimit dhe i fuqizimit të Ligjit kundër Huliganizmit dhe dukurive negative në sport, por shpreh keqardhje që ky mision i tij ende nuk është kompletuar.

“Tashmë është rregulluar një pjesë e mirë e ligjeve që e ndihmojnë sportin, ndërsa ka mbetur edhe një pjesë tjetër për t’u kryer, siç është Ligji për Sponsorizim dhe Ligji kundër Huliganizmit dhe dukurive negative në sport. Ka qenë e paraparë që këto dy ligje të finalizohen në muajin tetor, por ndërprerja e mandatit të kësaj legjislature e ka pamundësuar këtë”, thekson Haxhiu.

“Unë do të vazhdojë të insistojë që këto dy ligje të kryhen sa më shpejt dhe jam optimist se posa të fillojë mandati i legjislaturës së re, këto do të kryhen”, pohoi ai.

 

Fakt:

Para pak ditësh, FSHF-ja i dënoi shumë ashpër Vllazninë e Tiranën, për një përleshje ndërmjet tifozëve brenda dhe jashtë stadiumit “Loro Boriçi”. Ekspertët thonë se edhe FFK-ja duhet të shqiptojë asi dënime të ashpra


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Sporti