Sporti

Ballina / Sporti / Vendore
Shtrëngohet Besa
Baki Berisha Publikuar: 30.09.2014 - 13:00

Gjashtë pikë nga dy ballafaqimet e fundit, e sidomos tri pikët e fituar në Ferizaj, janë dëshmi më e mirë se skuadra e Besës ka nisur të këndellet. Kjo erdhi pas telasheve të fundit që i kishte skuadra pejane, veçmas në atmosferën e krijuar në klub, e cila solli suspendime dhe vërejte për disa futbollistë, të cilët dështuan keq në fillim të Kampionatit.

“Po mundohemi të stabilizohemi sa më mirë. Ne i dimë problemet, të cilat janë evidentuar nga kryesia dhe Shtabi teknik”, thotë për “Zërin” trajneri, Arbnor Morina.

Ai i ka lavdëruar futbollistët e rinj të ekipit të tij, për angazhimin e madh që po e bëjnë në çdo minutë.

“Të rinjtë po e bartin barrën e madhe dhe po e shfrytëzojnë rastin si është më së miri, duke marrë përvojë nga 3-4 futbollistë më të moshuar. Është bërë një gërshetim i rinisë dhe i përvojës, i cili po funksionin mjaft mirë”, shprehet Morina, duke lavdëruar edhe lojën e atyre më me përvojë.

“Me Ferizajn në lojë futëm 6 futbollistë shumë të rinj, por barrën kryesore megjithatë e patën tre futbollistë me përvojë, Duraku, Gashi e Nallbani. Çdo gjë shkonte mirë, madje ne patën mundësi me shënuar edhe ndonjë gol, por me rëndësi janë pikët e fituara, të cilat gjithsesi do të jenë motiv shtesë edhe për ballafaqimet e radhës”, thotë trajneri i Besës. Ai flet për atmosferën e mirë në klubin pejanë dhe lavdëron drejtuesit e skuadrës, të cilët nuk mungojnë as në stërvitje, por edhe mbledhjet i kanë mjaft të rregullta.

 

Dëshira, titulli

 

Sa i përket ambicieve të Besës, trajneri, Arbnor Morina, e ka të qartë se ka shumë lojë dhe se gjërat mund të ndryshojnë. Por, assesi nuk e fsheh dëshirën për ta fituar titullin e kampionit, i cili i mungon qe shumë vite skuadrës së suksesshme kosovare.

 “Ambiciet tona janë që të stabilizohemi sa më mirë. Kampionati është shumë i gjatë dhe ai nuk fitohet me një apo dy ndeshje. Sa i përket titullit, nuk e kemi prioritet, por pse jo do ta shfrytëzojmë rastin nëse na jepet. Është e drejtë sportive të besosh në diçka”, thotë Morina, i cili sikur ka frikë nga ndeshja e radhës kundër Drenicës.

“Drenica është skuadër cilësore, e cila pas humbjes nga Istogu kërkon të këndellet pikërisht kundër Besës dhe këtu e shoh rrezikun më të madh”, theksoi ai.

Besa aktualisht është në pozitën e dhjetë të renditjes tabelore me dhjetë pikë, nëntë më pak sesa Hajvalia, e cila po shkëlqen, duke e arsyetuar epitetin e favoritit për titull kampioni. “Stuhia” prishtinase është skuadra e vetme e Superligës, e cila ende nuk ka shijuar asnjë humbje në këtë sezon.

Fakt:

Përkundër përforcimeve, Besa e nisi shumë keq Kampionatin e ri. Mirëpo, pejanët kanë nisur të këndellen javëve të fundit


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Sporti