Ditari

Ballina / Ditari / Politikë
Presidentja, ultimatum partive
Lumturie Blakaj Publikuar: 30.09.2014 - 07:00
Foto: Laura Hasani

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, pritet që brenda 48 orëve të ardhshme të dalë me propozimin e saj konkret për zgjidhjen e ngërçit politik, në të cilin është zhytur vendi tash e katër muaj, nëse liderët politikë nuk gjejnë zgjidhje për tejkalimin e situatës.

Me t’u kthyer nga vizita që ka zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jahjaga të hënën menjëherë ka nisur takimet e ndara me liderët e partive politike për të diskutuar rreth tejkalimit të krizës në prag të mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Ndonëse, zyrtarë nga Zyra e Presidentes përjashtuan mundësinë që e para e shtetit të ketë sjellë ndonjë “zarf” nga SHBA-të, përfaqësuesit e partive politike serbe thanë se janë në pritje të gjetjes së një zgjidhjeje nga presidentja e vendit brenda 48 orëve të ardhshme.

“Neve na është thënë se kabineti i presidentes edhe më tutje do të inkuadrohet në mënyrë akoma më aktive me qëllim të tejkalimit të vakumit politik dhe situatës në të cilën gjendet Kuvendi i Kosovës për më shumë se 100 ditë.

Ne presim që në 48 orët e ardhshme të kemi një propozim konkret nga kabineti i presidentes dhe kur ai propozim të na dërgohet neve, gjithsesi të jeni të sigurt se me kohë do t’ju njoftojmë, nëse palët tjera nuk e bëjnë këtë”, ka konfirmuar, pas takimit, kryetari i Listës serbe, Aleksandër Jabllanoviq. Ky i fundit deklaroi se deputetët e kësaj liste do ta votojnë kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Arsim Bajramin, për kryetar Kuvendi, nëse kjo parti arrin t’i sigurojnë 52 vota të tjera të deputetëve, me qëllim që Lista serbe të mos bëhet pengesë për krijimin e institucioneve. 

Por, zyrtarë nga kabineti i presidentes kanë mohuar ekzistimin e ndonjë “zarfi” si zgjidhje për tejkalimin e situatës. “Nuk dua të komentoj llafet e qytetit dhe as nuk dua të komentoj ato që mund të jenë paragjykime. Zgjidhja është në mesin e liderëve dhe në mesin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe zgjidhja do të gjendet në këtë mes”, ka thënë Arbër Vllahiu, këshilltar i presidentes. Sipas tij, presidentja e vendit ka zhvilluar takime me liderët politikë për të lehtësuar diskutimet me qëllim të gjetjes se një zgjidhjeje për tejkalimin e krizës politike në Kosovë. “Nuk mund të ketë afate kohore, por janë përpjekje të vazhdueshme që zgjidhja të gjendet sa më shpejt të jetë e mundur. Ka një çështje brenda gjithë kësaj që zgjidhja është brenda kornizës kushtetuese dhe është brenda vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai.

Presidentja s’ka “zarf”

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, nga mesdita e së hënës ka pritur në zyrën e saj në takime të ndara të gjithë liderët politikë. Fillimisht ajo ka pritur delegacionin e Partisë Demokratike të Kosovës që kryesohej nga lideri i saj, Hashim Thaçi. Pas takimit, i cili nuk ka zgjatur më shumë se 20 minuta, nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, tha se partia e tij do të vazhdojë të luajë rol konstruktiv për gjetjen e një zgjidhje politike. “Besoj që të gjitha palët do të respektojnë rezultatet e 8 qershorit, do të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe zgjidhja do të jetë me legjitimitet demokratik dhe legalitet institucional", ka deklaruar Kuçi.

Ndërkaq, kësaj radhe presidentja e vendit ka ftuar liderët e Bllokut në takime të veçanta, dhe jo sikurse herën e fundit. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë pas takimit që ka zgjatur për më shumë se një orë se ishte kërkesë e presidentes Jahjaga që liderët e Bllokut të shkojnë veç e veç. I pyetur nëse Jahjaga të ketë sjellë ndonjë mesazh nga SHBA-të për zgjidhjen e ngërçit politik, ai tha të mos ketë dëgjuam ndonjë qëndrim specifik. Mustafa, ndërkaq, ka kundërshtuar idenë e zgjedhjes së një kryeministri konsensual. “Nuk ka opsion të tillë dhe nuk e dëgjuam një propozim për kryeministër konsensual. Nuk jemi në një periudhë kohore që duhet të bëjmë kryeministra të tillë, sepse kryeministri duhet të jetë vullnet i shumicës në Kuvend”, ka thënë ai.

Haradinaj: Jam kryeministër konsensual

Sa i përket mundësisë për një kryeministër konsensual, si “çelës” për zgjidhjen e krizës politike, Ramush Haradinaj i AAK-së tha se ai vetë është kryeministër konsensual. “Jam kryeministër konsensual prej atyre që më përkrahin”, ka thënë ai, derisa ka vazhduar të besojë se zgjidhja është brenda partive të Bllokut që përbëjnë shumicën parlamentare. “Shpresojmë se do të krijohet një vullnet i të gjithëve, që shumica parlamentare në vend t’i ndërtojë institucionet”, ka thënë ai.

Albin Kurti i “Vetëvendosjes” ka deklaruar se presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, vetëm se ka dëgjuar kërkesat e liderëve partiakë, por që nuk ka dhënë ndonjë propozim për gjetjen e një zgjidhjeje për krijimin e institucioneve të vendit. Ai tha të ketë kërkuar nga e para e shtetit që seanca e radhës që do të mbahet më 2 tetor, të mos mbyllet nga kryesuesja e Kuvendit, Flora Brovina, sikurse herën e kaluar pa pasur debat parlamentar, derisa ka theksuar se është partia e Hashim Thaçit ajo që gjendet në krizë, për faktin se asnjëherë më parë nuk ka pasur bashkëpunim më të madh mes partive politike.

Në anën tjetër, Fatmir Limaj nga Nisma për Kosovën, tha se roli i presidentes në këtë proces është lehtësues dhe se ajo duhet të vazhdojë ta luajë këtë rol. Sipas tij, institucionet e vendit duhet të ndërtohen sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi tash ekziston shumica parlamentare dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese. “Ne prezantuam qëndrimin tonë se vendi ka nevojë për një qeverisje ndryshe dhe ne si koalicion jemi bashkë dhe i kemi votat. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë që përmes dispozitave kushtetuese, përmes kornizës ligjore që të gjejmë zgjidhjen, zgjidhje që do të jetë në përputhje me Kushtetutën”, ka thënë Limaj.

Vetëm tri ditë para se të mbahet seanca konstituive për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, presidentja e vendit, Jahjaga, do të vazhdojë me konsulta tjera me përfaqësuesit e komuniteteve joserbe.


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Ditari