Ekonomia

Ballina / Ekonomia / Ekonomia
“Masakra” me prokurime në UP
Enis Veliu Publikuar: 30.09.2014 - 07:15
Foto: Laura Hasani

Shumë shkelje ka evidentuar Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP), gjatë auditimit të pasqyrave financiare për Universitetin e Prishtinës (UP) për vitin që lamë pas. Auditori ka gjetur se UP-ja në masë të madhe ka shmangur procedurat e hapura të prokurimit, e ku në shumë raste janë aplikuar kuotime të çmimeve në vend se të aplikohet procedura e hapura.

Parregullsi janë hasur edhe te punësimi i stafit akademik. Auditori ka gjetur se në 12 raste Universiteti i Prishtinës kishte punësuar punonjës mbi bazën e kontratave për shërbime të veçanta pa konkurs të hapur publik. Të gjithë ishin të kontraktuar për punë administrative deri në muajin qershor. Sipas Auditorit, angazhimi i punëtorëve përmes kontratave për shërbime të veçanta për punë administrative përbën shkelje të dispozitave ligjore, si dhe njëherësh krijon mundësinë që të ndodhin shpenzime të parregullta.

“Rektori duhet që të rishikojë kontratat për shërbime të veçanta për angazhimin e zyrtarëve administrativë, si dhe të sigurojë që procesi i rekrutimit të jetë i hapur dhe konkurrues”thuhet në raportin e ZAP-it. Po ashtu, auditori ka gjetur se te tenderi “Faturimi i Shërbimeve para Kontraktimit”, UP-ja kishte lidhur kontratë me Operator Ekonomik (OE) për shërbimet e DDD (Dezinfektimit, Deratizimit dhe Dezinsketimit) në hapësirat e objekteve të UP-së.

Mirëpo, puna ishte bërë para nënshkrimit të kontratës. Në një rast tjetër te kontrata për “Bartje e inventarit” me vlerë 4,400 euro, Auditori ka gjetur se punimet ishin kryer para nënshkrimit të kontratës. Po ashtu, Auditori ka evidentuar edhe regjistrim të shpenzimeve në kode joadekuate, një numër i madh i transaksioneve ishin keqklasifikuar në regjistrimet e kontabilitetit.

“Tri pagesa në vlerë prej 17,987 euro për projektin ‘Renovim i Fakulteteve’, 10,000 euro për lotin 2, ‘Renovimi i objekteve’ – Galeria e Arteve, dhe 13,525 euro për projektin ‘Renovimi i objekteve, ishin regjistruar ne kategorinë e mallrave, ndërsa i takonin kategorisë së investimeve kapitale. Po ashtu, pagesa prej 16,965 euro e cila lidhej me projektin ‘mjete konkretizimi për UP’ dhe dy pagesa, njëra 97,719 euro dhe tjetra 149,997 euro për mobile nën 1,000 euro ishte bërë nga investimet kapitale, ndërsa i takojnë kategorisë së mallrave dhe shërbimeve”, thuhet në raportin e ZAP-it.

Më tej, thuhet se edhe në tenderin për “Furnizim me kartela” me vlerë prej 19,710 euro, tre herë ka qenë subjekt i shpalljes deri në përzgjedhjen e fituesit. Sipas auditorit kriteret teknike dhe profesionale në të tri rastet e rishpalljes së njoftimit kishin ndryshuar nga versioni fillestar. Por, ZAP-i ka konstatuar se edhe fituesi nuk ishte i përgjegjshëm në kërkesat teknike dhe profesionale që kërkoheshin në dosje.

Auditori ka konstatuar se mosaplikimi i procedurave adekuate sjell deri te furnizimet me çmime më të shtrenjta. Sipas tij, kryerja e punëve para nënshkrimit të kontratave është në kundërshtim me normat ligjore, ndërkaq klasifikimi i gabuar i shpenzimeve ul efektivitetin e raportimit financiar.

Shpenzime pa prokurim

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për Universitetin e Prishtinës ka hasur në shpenzime pa aplikuar procedura të prokurimit.

Sipas auditorit, UP-ja kishte bërë pagesë prej 4,170 euro për Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL) për shfrytëzimin e skanerit për përpunimin e testeve të provimit pranues në Fakultetin Ekonomik.

“As procedurat e prokurimit nuk janë përdorur as ndonjë marrëveshje për shfrytëzimin e këtij skaneri nuk është bërë. Për më tepër, nuk kishte as raport të pranimit të këtij shërbimi. Po ashtu UP-ja kishte blerë pajisje për ndriçimin e kampusit universitar në vlerë 504 euro, me kërkesë të Këshillit Drejtues, pa aplikuar procedurë të prokurimit. Mosaplikimi i procedurave të prokurimit në furnizimet e lartpërmendura ka rezultuar në shpenzime që janë në kundërshtim me rregullat financiare. Rektori duhet të sigurojë një plan veprimi sa më të shpejtë për sa i takon çështjes së ngjitur në mënyrë që UP-ja të ndërpresë praktikat e tilla të shpenzimit të parasë të pambështetura në marrëveshje kontraktuale”, thuhet në raportin e ZAP-it.

Parregullsi janë hasur edhe te ekzekutimi i buxhetit. Përveç në kategorinë e pagave dhe mëditjeve, ekzekutimi i buxhetit te kategoritë tjera ekonomike nuk ishte në nivelin e pritur. Madje te kategoria e investimeve kapitale është ekzekutuar vetëm 59% e buxhetit të planifikuar, gjë që është një tregues i një performance efektive. Sipas Auditorit, planifikimi jo i duhur dhe ekzekutimi i ulët i buxhetit ka rezultuar në mosarritjen e objektivave të organizatës dhe në financimin e detyrimeve të vitit aktual nga buxhetet e vitit të ardhshëm.

Marrin paga pa punuar

Sipas Auditorit, buxheti për kategorinë e Pagave dhe Mëditjeve ishte 19,617,800 euro, ndërsa shpenzimet ishin 18,888,351euro, apo shprehur në përqindje rreth 96,2 % e buxhetit. Numri i stafit të planifikuar ishte 2,155, ndërsa në dhjetor 2013 ishin 2,414 të punësuar. Arsyeja për tejkalimin e numrit të punësuarve në listën e pagave është sepse figuron stafi akademik, përkohësisht të paangazhuar, me pagë zero të cilët nuk janë hequr nga lista e pagave.

Por, gjatë auditimit ZAP-i ka gjetur se për pagesat e bëra për pesë profesorë në Fakultetin e Mjekësisë në vlerë të përgjithshme prej 10,170 euro, nuk janë ofruar dëshmitë për vijueshmërinë e procesit mësimor për semestrin dimëror 2013/14.

“Arsyetimi ishte se përgjatë afatit të regjistrimit të studentëve (gjatë tetorit) vijueshmëria e orëve ishte e çrregullt edhe pse stafi akademik ishte i angazhuar në vendin e punës. Kjo gjë është konfirmuar edhe nga menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë. Po ashtu, në 17 raste personeli akademik me kontratë të rregullt nuk kishte vijuar procesin mësimor në harmoni me kontratën e tyre të punës, ku është dashur të mbajnë nga 24, ndërsa kanë mbajtur nga 18 orë në muaj. Ndërkaq, në nëntë raste kishte dallime në mes raportit për pagesë dhe orëve të mbajtura nga profesorë të rregullt, me ç’rast janë mbajtur më pak orë ndërsa janë evidentuar dhe paguar më shumë”, thuhet në raportin e ZAP-it.

Po ashtu, sipas Auditorit, në katër raste, profesorët janë kompensuar për festa zyrtare dhe nuk janë bërë zëvendësimet e orëve që duhet të mbahen, në një rast është tejkaluar norma e orëve të mbajtura mbi normë të përcaktuara sipas kontratës, si dhe në një rast në Fakultetin Juridik është kompensuar një asistente, pasi që i është hequr masa e pezullimit të përkohshëm të marrëdhënies së punës. E njëjta gjatë kohës për të cilën është kompensuar retroaktivisht kishte shërbyer në mision diplomatik të Kosovës dhe nuk kishte dëshmi për angazhimin e saj në fakultet.

Auditori i Përgjigjëm ka hasur edhe në mosbarazim të shënimeve të brendshme për të hyrat në softuerin “Softueri Elektronik i Menaxhimit të Studentëve” (SEMS), të cilin e përdor UP për regjistrimin e të hyrave, saldo në fund të vitit ishte 9,139,835 euro, ndërsa sipas shënimeve të Thesarit dhe BQK-së vlera e të hyrave të arkëtuara ka qenë 9,289,320 euro, që do të thotë se ka një diferencë prej 149,484 euro.

“Diferenca rrjedh nga mosbarazimi i të hyrave për janar dhe shkurt. Përveç kësaj kishte diferenca në mes të shënimeve të SEMS-it dhe atyre që janë konfirmuar me dëftesë pagesa nga ana e zyrtarëve. Në softuerin SEMS saldo përfundimtare e të hyrave ishte 9,139,835 euro, ndërsa raporti i konfirmimeve të bazuara në dëshmi të pagesave të pranuara nga referentët ka qenë 8,231,600 euro, që rezulton me 908,235 euro diferencë të shënimeve burimore në krahasim me raportin e SEMS-it. Kjo është pasojë e mosraportimit adekuat të njësive dhe po ashtu nga fakti se përdorimi i softuerit nuk është duke u aplikuar si duhet nga Njësitë/Fakultetet”, thuhet në raport.

Pagesa të pabaza

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm po ashtu ka gjetur edhe pagesa të pabaza për komisione të ndryshme dhe punë tjera administrative. Sipas Auditorit, për Seminarin XXXII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është paguar vlera prej 25,000 euro për organizimin e tij dhe stafin administrativ. Por, kjo pagesë ishte bërë në mungesë të tarifave të përcaktuara për pagesën ndaj secilës pozitë dhe angazhim.

Po ashtu, për shkak të shtimit të vëllimit të punëve, obligimeve dhe përgjegjësive gjatë periudhës së aplikimit dhe regjistrimit të studentëve të rinj në studimet bachelor dhe master, zyrtarëve të Rektoratit dhe Administratës Qendrore u është paguar vlera prej 69,132 euro. Nga kjo shumë janë paguar edhe disa zyrtarë për punë shtesë, puna e të cilëve nuk lidhet me studentët, si zyra e prokurimit, zyrtari i pasurisë, zotimit, IT-së, zyrtari certifikues, dhe auditorët e brendshëm. Ne nuk kemi gjetur raporte mbështetëse për obligimet dhe punët shtesë të kryera.

“UP-ja përgjatë vitit 2013 me vendim të sekretarit të përgjithshëm kishte paguar vlerën totale prej 371 euro për anëtarët e Komisionit për inventarizimin dhe vlerësimin e pasurisë. Komisionet ishin të ndarë sipas njësive akademike dhe kishte dallime në mes pagesave të anëtarëve. Sipas vendimit të Rektorit, një zyrtare është angazhuar për detyra shtesë me pagesë 30 % nga paga bazë (270 €) deri në tetor 2013. Realisht, pagesa për punë shtesë përgjatë tërë vitit ishte 82 % nga paga bazë dhe angazhimi ka vazhduar edhe pas skadimit të afatit. Pagesa e punëve shtesë në mungesë të dëshmive për punën e kryer rrit rrezikun që të bëhen pagesa të parregullta dhe pagesa për punën që nuk është kryer”, thuhet në raportin e ZAP-it.

Auditori po ashtu ka gjetur se Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike në UP në vitin 2006 ka nënshkruar një Memorandum të Mirëkuptimit (MM) me Ministrinë e Transportit dhe Post Telekomunikacionit, MASHT, dhe UP-në për të arkëtuar të hyrat nga Instituti i FIM-it. Përgjatë vitit 2013 nga Instituti i FIM-it ishin mbledhur të hyra prej 105,460 euro, dhe të njëjtat u kishin ndarë për stafin e angazhuar në bazë të formulës së përcaktuar të MM. Kjo parashikon që 10% e të hyrave i ndahen zyrtarëve të UP-së dhe FIM-it si shtesa në paga. MM nuk është vazhduar nga 2007 dhe si i tillë konsiderohet si jovalid, dhe në këtë kontekst pagesat e realizuara për UP-në dhe FIM-in janë të diskutueshme dhe të pabazuara.

Marrin nga dy paga prej buxhetit të Kosovës

Po ashtu Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka evidentuar 46 raste që ishin lidhur kontrata mbi normë dhe në kundërshtim me Rregulloren e brendshme për të ardhura personale. Sipas Auditorit, rregullorja qartëson se ”personeli i angazhuar me dy marrëdhënie të rregullta pune (primare apo sekondare) nuk ka të drejtë të mbajë orë mbi normë”, por sipas ZAP-it të gjithë këta persona kanë dy marrëdhënie pune në institucione publike.

Po ashtu në një rast, profesori i angazhuar në dy Fakultete, atë të Bujqësisë dhe Ekonomikut për semestrin dimëror kishte zhvilluar procesin mësimor pa kontratë të rregullt pune. Po ashtu, sipas ZAP-it në pesë raste Fakulteti Ekonomik kishte angazhuar staf akademik nga jashtë Universitetit dhe kontratat e tyre janë nënshkruar në vitin 2014, e ku sipas ZAP-it, realisht, angazhimi dhe pagesa ndaj tyre janë bërë përgjatë vitit 2013 pa ndonjë bazë ligjore.

“Nënshkrimi i kontratave në kundërshtim me rregulloret e aplikueshme rrit rrezikun që të ndodhin pagesa të parregullta dhe shpenzime të paplanifikuara. Kjo e ul efikasitetin dhe shkakton vështirësi në menaxhimin financiar. Rektori duhet të sigurojë që kontratat mbi normë të lidhura me personelin akademik janë të rishikuara për të përcaktuar arsyeshmërinë dhe vlefshmërinë e tyre ligjore. Angazhimi i stafit akademik të bëhet në pajtim me rregulloret e Universitetit dhe pagesa ndaj tyre të bëhet konform kontratës. Aty ku ekzistojnë rastet e dy marrëdhënieve të rregullta pune (qoftë primare apo sekondare) të ndalohet mbajtja e orëve mbi normë”, thuhet në raportin e ZAP-it.

Po ashtu, sipas ZAP-it për 10 profesorë të angazhuar në programin „Aftësimi dhe Kualifikimi i Mësimdhënësve (AKM) ishte paguar shuma totale prej 44,820 euro. Këto pagesa janë tejkaluar nga orët e mbajtura vërtet nga këta profesorë. Sipas ZAP-it, vijueshmëria e tyre në ligjërata nuk ka qenë në përputhje me kontratat e tyre.

“Sipas kontratave, secili profesor duhet të mbajë 90 orë të ligjëratave, ose respektivisht 45 orë. Por, në fakt asnjë nga ta nuk e ka plotësuar ketë kërkesë. Vetëm pjesa prej 26,324 euro, është mbështetur me evidencat e vijueshmërisë, derisa për pjesën tjetër prej 18,496 euro nuk janë gjetur evidenca të vijueshmërisë së stafit të angazhuar”, thuhet në raportin e Auditorit. Sipas tij, mungesa e dëshmive për orët e mbajtura rrit rrezikun që të ndodhin pagesa të parregullta dhe të paarsyeshme. Kontrollet e dobëta të aplikuara në monitorimin e vijueshmërisë dhe procedimin e pagesave në rastet e identifikuara rrit rrezikun që kjo dukuri të ndodhë edhe te rastet e tjera. Kjo do të shkaktonte dëmtim të buxhetit të UP-së.

Sipas Auditorit, rektori duhet të bëjë një rishikim të mekanizmave aktualë të kontrolleve për të parë dështimet dhe për të përcaktuar veprimet e nevojshme për përmirësimin e këtyre kontrolleve në AKM. Rastet e identifikuara nga auditimi do të duhej të shqyrtohen si çështje urgjente nga ana e menaxhmentit dhe masat administrative janë të nevojshme.

Gazeta “Zëri” për shkeljet e evidentuara ka dërguar pyetje edhe në adresë të rektorit të Universitetit të Prishtinës, por nuk ka arritur të marrë përgjigje nga ta. 


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Ekonomia
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
redaksia@zeri.info | marketingu@zeri.info | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51