Ditari

Ballina / Ditari / Politikë
Bajrami i PDK-së
Fadil Sertolli Publikuar: 30.09.2014 - 07:10
Foto: Laura Hasani

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) edhe në seancën e 2 tetorit do ta propozojë Arsim Bajramin kandidat për kryeparlamentar, ndonëse ende nuk i ka siguruar 61 votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës.
Bajrami ka qenë kandidat i kësaj partie edhe në seancën e 18 shtatorit, mirëpo ka arritur t’i marrë vetëm 44 vota të deputetëve.

Në anën tjetër, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i cili është kandidat i partive të Bllokut për kryeparlamentar, ka thënë se herën e parë do t’i jepet rasti PDK-së për të votuar kandidatin e saj për kryetar të Kuvendit dhe më pas do të votohet në bazë të vullnetit të deputetëve.

Edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se ata që e kanë shumicën në Parlament e kanë të drejtën e tyre për formimin e institucioneve. “Të enjten në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, fillimisht PDK-ja do të provojë kandidatin e saj për kryetar të Kuvendit, e më pas nëse ajo dështon, shumica parlamentare do të vendosë për formimin e institucioneve”, ka thënë Haradinaj.

Mirëpo, për Haradinajn ende mbetet e paqartë se si do të veprojnë nëse kryesuesja Flora Brovina do ta mbyllë menjëherë seancën, pas dështimit të PDK-së për t’i siguruar votat për kandidatin e saj për kryetar të Kuvendit.

Ndërsa, në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) thonë se kjo parti do t’i respektojë ligjet dhe Kushtetutën e vendit në seancën e ardhshme konstituive dhe se nuk e ka aspak problem edhe nëse vendi shkon sërish në zgjedhje të reja.

Ministri në largim i Kulturës, Memli Krasniqi, tha se Arsim Bajrami është kandidati i PDK-së për kryetar të Kuvendit.

Ai po ashtu tha se Rregullorja e Kuvendit dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese tregon qartë kujt i takon pozita e kryeparlamentarit dhe nëse i jepet mundësia e kandidimit të kryeparlamentarit nga Blloku opozitar.

“Ne mbetemi pranë qëndrimit tonë se duhet të respektohet Kushtetuta e Kosovës dhe dy aktgjykimet jashtëzakonisht të qarta të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Krasniqi.

Se a do të shkojë PDK-ja e përgatitur më 2 tetor në seancë të Kuvendit për ta zgjedhur kandidatin e saj për kryetar, Krasniqi ka precizuar se sikurse në çdo seancë edhe në këtë PDK-ja do të shkojë e përgatitur për ta respektuar Kushtetutën dhe aktgjykimet relevante të Gjykatës Kushtetuese si dhe Rregulloren e punës së Kuvendit.

I pyetur se nëse kandidati i PDK-së nuk zgjidhet kryeparlamentar a duhet të shkohet në zgjedhje, Krasniqi ka thënë se shpresa dhe besimi i tyre është që më në fund do të fillojë të mbizotërojë një racionalitet politik edhe në kampin opozitar, në mënyrë që të ketë një rrugëdalje dhe për t’i dhënë vendit një zgjidhje kushtetuese dhe në pajtim me vullnetin qytetar.

“Në rastin e fundit që vendi të shkojë në zgjedhje, PDK-ja është e gatshme”, ka thënë ai.

Përfaqësuesit e Listës serbe “Srpska” kanë deklaruar se deputetët e tyre në vazhdimin e seancës konstituive të enjten do të pranonin që të votonin kandidatin e PDK-së për kryetar të Kuvendit, vetëm nëse kjo e fundit arrin t’i sigurojë 52 vota tjera. “Ne jemi për zgjidhje të ngërçit dhe nuk do të paraqesim pengesë për këtë. Nëse PDK-ja arrin t’i sigurojë 52 vota tjera, edhe 9 të Listës Serbe do të shkojnë për ta”, ka thënë përfaqësuesi i deputetëve të Listës serbe, Aleksandar Jabllanoviq.

 


Komento
Komente (1)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
um vjene mire qe pasardhsit e mi po sunojne edhe n vende t Rumelise.
gjinkiskan nga hadesi
rekomanduar (1)
30 Sep 2014
11:49
 
Me shume nga Ditari