Ditari

Ballina / Ditari / Kryeqyteti
Miratohet buxheti, shmangen zgjedhjet
Valmira Halimi Publikuar: 30.09.2014 - 07:29

Me 25 vota pro, 18 kundër dhe 7 abstenime, këshilltarët komunalë të Prishtinës gjatë ditës së hënë votuan buxhetin komunal për vitin 2015 në vlerë prej 68.546.410 euro. Po ashtu asamblistët gjatë kësaj mbledhjeje miratuan edhe Kornizën afatmesme buxhetore 2015 - 2017.

Gjatë kësaj mbledhje, kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se objektivat e paraqitura në Buxhetin 2015, kanë qenë po ato objektiva të cilat janë të mbështetura në programin me të cilin e ka fituar besimin e qytetarëve për ta udhëhequr kryeqendrën.

Ahmeti po ashtu deklaroi se Buxheti i vitit 2015 ndahet në tre shtylla kryesore, në buxhet zhvillimor, social dhe buxhet i drejtësisë, duke paralajmëruar edhe krijimin e drejtorive të reja komunale.

"Dokumenti fillon me prezantimin e përmbledhjes së dëgjimeve publike, përmes të cilave, në bashkëpunim me qytetarët ne kemi identifikuar nevojat dhe kërkesat e qytetarëve”, ka thënë Ahmeti, duke shtuar se gjatë muajit gusht janë mbajtur nëntë diskutime publike, shumica e komenteve që kanë dalë nga diskutimet e tilla janë të përfshira në këtë buxhet.
Ahmeti ka shtuar se me kohë kanë filluar edhe diskutimet publike për Buxhetin 2015.

“Më 1 shtator, e kemi dorëzuar siç kërkohet me qarkoren buxhetore, me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike draft-buxhetin e Kuvendit Komunal, me ç’rast janë iniciuar diskutimet e tjera publike dhe diskutimet e Kuvendit për hartimin e buxhetit të vitit 2015 dhe Kornizën afatmesme buxhetore 2015-2017. Ne kemi mbajtur një takim me Komitetin për Politikë dhe Financa dhe të gjithë kryesuesit e komiteteve, të atyre formale dhe joformale, respektivisht obligative dhe joobligative dhe po ashtu kemi ftuar edhe përfaqësues të shoqërisë civile të cilët edhe e mbikëqyrin Komunën e Prishtinës që të japin komentet e tyre”, ka thënë Ahmeti, i cili shtoi se janë mbajtur diskutime të ndara me shumicën e subjekteve politike që janë të përfaqësuara në Kuvendin Komunal të Prishtinës për të marrë edhe sugjerimet e tyre apo komentet e tyre.

Kryetari Ahmeti theksoi ndër të tjera edhe problemet e mëdha të trashëguara me shpronësimet. Duke iu përgjigjur shqetësimeve të këshilltarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ahmeti tha se ekziston një propozim që është duke u biseduar edhe me Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe USAID që emërtohet si e drejta ajrore e që e kanë shumica e qyteteve të mëdha.

Të pranishëm në këtë mbledhje ishin edhe përfaqësues të shoqërisë civile, misionit të OSBE-së, etj.

Buxheti i Komunës së Prishtinës për vitin 2015 do të jetë 68.546.410 euro.

Ky buxhet do të financohet nga granti i përgjithshëm prej 23 për qind, granti specifik për arsim prej 21,9 për qind, granti specifik për shëndetësi 6,9 për qind, si dhe nga të hyrat vetjake të komunës prej 48,1 për qind.

Granti i përgjithshëm i ndarë për Komunën e Prishtinës për vitin 2015 është në vlerë prej 15.799.192 euro, granti specifik për arsim për vitin 2015 është në vlerë prej 15.042.433 euro, ndërsa granti specifik për shëndetësi është në vlerë prej 4.702.522 euro.

Ndërkaq, planifikimi për të hyrat vetjake të Komunës së Prishtinës për vitin 2015 është 33.547.263 euro.
Ndryshe ky është dhe buxheti i parë i planifikuar nga qeverisja e Shpend Ahmetit. Po qe se nuk do të miratohej të hënën buxheti komunal, atëherë sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, mund të shpërbëhej Kuvendi Komunal dhe Prishtina do të shkonte në zgjedhje të reja.


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Ditari