Ditari

Ballina / Ditari / Shoqëri
Leonora “construction”
Kajtaz Gecaj Publikuar: 30.09.2014 - 07:40

(E plotësuar) Si duket Leonora Jakupi e ka ditur më herët se do të jetë përfituese e parcelës në qendër të Skenderajt.

Ajo para se të ofertonte për këtë pronë, kishte marrë pëlqimin e banorëve të asaj prone, e cila është afër shtëpisë së gjyshit të saj, ku thotë të jetë lindur dhe rritur.

Në atë pronë aktualisht janë disa shtëpi të vogla të ndërtuara menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, të cilat do të rrënohen dhe në vend të tyre do të ngrihen ndërtesa të larta banimi në pronësi të Leonora Jakupit.

Saktësisht për 0.20 hektarë tokë komunale, komuna e Skenderajt ka shpallur ankandin publik për dhënie në shfrytëzim për 99 vjet me partneritetin publiko-privat. Këta 0.20 hektarë tokë të komunës ishin ndarë në katër njësi me nga 0.5 hektarë.

Ankandi ishte shpallur edhe për 360 metra katrorë tokë e Komunës, aty ku ndodhej objekti i vjetër i Komunës. Ankandi ka qenë i hapur 45 ditë dhe gjatë kësaj kohe janë paraqitur vetëm tre ofertues, Leonora Jakupi, Drilon Malaj (barnatorja “Ana”), si dhe kompania “R&Rukolli” për pjesën prej 360 metra katrorë të tokës ku ndodhej Komuna e vjetër.

Kompanitë e afërta me Lushtakun, në garë

Sipas kryetarit të Komisionit për Vlerësimin e Ofertave, Bekë Hylenaj, Leonora Jakupi kishte ofertuar për dy njësi, njëra ku ndodhet shtëpia e saj dhe njësia tjetër, ajo ku jeton familja boshnjake Radonçiq. Ndërkaq, Drilon Malaj me barnatoren “Ana” kishte ofertuar për njësinë e tretë, ku më përpara ndodheshin shtëpitë e vjetra të dy familjeve, e që Malaj i kishte blerë.

Debat i ashpër është ndezur sidomos për ofertën e Leonora Jakupit, madje këshilltarja komunale nga LVV-ja, Ajnishahe Halimi, kishte thënë se prapa saj qëndron kreu i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.

Ajo ka thënë se edhe ofertat e Drilon Malajt dhe të Rukollit janë të lidhura me Sami Lushtakun.

Nënkryetari i Skenderajt, Fadil Nura, tha se procedurat e zbatimit të ankandit publik kanë shkuar sipas ligjit dhe rregulloreve në fuqi.

“Komisioni për Vlerësimin e Ofertave për dhënie në shfrytëzim të tokës komunale në afat të gjatë ka shpallur ankandin publik për katër njësitë, i cili ka qenë i hapur 45 ditë dhe secili që ka dëshiruar ka mundur të ofertojë.Për të gjitha njësitë, ka pasur vetëm nga një ofertues, ndërsa për njësinë e katërt nuk ka pasur hiç ofertues dhe ajo ka mbetur pa u dhënë. Pas mbylljes së ankandit, Komisioni ka shqyrtuar ofertat dhe ka ardhur në përfundim, se Leonora dhe të tjerët, si ofertues të vetëm, janë përfitues, ndërsa Kuvendi ka miratuar përzgjedhjen e Komisionit. Gjithçka ka shkuar me ligj dhe këtu nuk ka asnjë fije dyshimi”, thotë Nura.

“Në shërbim” të Leonorës

Duke folur për ofertën e Leonorës, Nura tha se ajo kishte ardhur në Komunë dhe ishte interesuar për të ofertuar për njësinë ku ndodhet shtëpia e gjyshit të saj, siç kishte thënë, për shtëpinë ku ajo ishte lindur dhe ishte rritur.

“Është interesuar për kushtet e ankandit, ia kemi sqaruar se me familjet që banojnë në ato shtëpi, të cilat do të rrënohen, duhet ajo të merret vesh vetë. Atyre familjeve Leonora duhet t’ua sigurojë edhe strehimin derisa ta përfundojë objektin dhe t’ua dorëzojë çelësat e banesave që duhet t’ua sigurojë si kompensim, e që për këtë ofertuesit kanë nënshkruar deklaratë”, precizon nënkryetari Nura.

Sipas tij, 21 për qind e sipërfaqes së objekteve të larta të banimit janë të Komunës dhe ky ka qenë një prej kritereve të ankandit.

“Në interes të Komunës do të ishte sikur të kishte më shumë ofertues, sepse përqindja do të rritej”, thotë nënkryetari Nura.

Nënkryetari i Skenderajt ka ripërsëritur se 45 ditë sa ka qenë i hapur ankandi, kanë qenë të mjaftueshme për të ofertuar kushdo që do të ishte i interesuar.

Nura sqaroi se për të gjithë hapësirën prej 0.20 hektarë tokë komunale kishte një ankand për dhënie në shfrytëzim me partneritetin publiko-privat edhe para një viti e gjysmë, por nuk kishte pasur fare të interesuar.

“Është vendimi i Kuvendit i para dy vjetëve, që në pajtim me Planin Rregullativ Urban të qytetit, ajo pjesë e tokës komunale të jepet me koncesion për ndërtimin e objekteve të larta të banimit dhe ne vetëm e kemi zbatuar këtë vendim”, ka sqaruar Nura.

E në anën tjetër, në familjen boshnjake Radonçiq kanë thënë, të hënën, se Leonora, e cila për shumë vjet ka qenë fqinje e tyre, kishte shkuar në shtëpinë e tyre dhe u kishte shpjeguar për ofertën.

“Ajo na ka garantuar se do të na sigurojë hapësira për banim, bashkë edhe me Drilonin, sepse një pjesë e tokës ndodhet në pjesën ku e ka marrë ai. Ata dy bashkë do të na i japin 5 banesa me çka ne jemi pajtuar dhe jemi të kënaqur”, kanë thënë në familjen Radonçiq.

Ndryshe, pas vdekjes së gjyshit të saj, Milazimit, Leonora ua kishte blerë një banesë, njerkës së babait të saj dhe vëllait të babait, Bashkimit, ndërkohë që shtëpia kishte mbetur e mbyllur.

Zdenka, njerka e Qazimit, babait të Leonorës, tha se Leonora ka siguruar mjete financiare të mjaftueshme nga muzika për të investuar për ndërtimin e objektit të lartë të banimit, madje siç ka thënë ai, “Leonora munet me ndërtu edhe shumë banesa tjera se ka pare”.


Komento
Komente (1)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Gazetar ju lutem specifikone ku pikrish eshte ai vend ???? Atu ku une po mendoi kame edhe une pron dhe mund te demtohem .
qami
rekomanduar (18)
30 Sep 2014
09:03
 
Me shume nga Ditari
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
redaksia@zeri.info | marketingu@zeri.info | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51