Kultura

Ballina / Kultura / Kultura
Përkthyesit e injoruar- “Më mirë bujk se përkthyes”
Qëndrim Muçolli Publikuar: 30.09.2014 - 08:44

Përkthyesit letrarë në Kosovë ndihen të injoruar, pa përkrahje e pa perspektivë, ndërkaq përkthimi si punë me të cilën mund të jetohet, as që mund të imagjinohet tash për tash. Kështu thonë botues e përkthyes, sipas të cilëve diplomacia kulturore mungon në Kosovë, si pjesë e saj mungon edhe krijimtaria e përkthimit, letërsia e huaj në shqip e sidomos letërsia shqipe jashtë kufijve të vendit. Në Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit, që shënohet sot (30 shtator), autorë, përkthyes e shtëpi botuese drejtojnë gishtin nga mungesa e mjeteve materiale dhe mospërkrahja institucionale ndaj përkthyesve, si ndërtues urash ndërmjet kulturave.

Shkrimtari Eqrem Basha, redaktor përgjegjës në shtëpinë botuese “Dukagjini”, thotë se edhe pse tingëllon shumë pesimiste, duhet të ceket që përkthimi në Kosovë nuk ka ndonjë perspektivë. “Entuziazmi për të shkruar dhe për të përkthyer nuk është i njëjtë dhe pikërisht për këtë arsye duhet që përkthyesi të motivohet dhe të stimulohet materialisht në mënyrë që të kemi përkthime më cilësore”, ka thënë Basha për “Zërin”.

Sipas tij, veprat e përkthyera mungojnë, ngase mungon përkrahja materiale. “Që një vepër e përkthyer të ketë publikun e saj, duhet që përkthyesi të kompensohet pasi që në këtë rrugë ka pengesa të mëdha. Ne jemi dëshmitarë të një tirazhi shumë të vogël të veprave të përkthyera”.

Shkrimtari dhe akademiku, Eqrem Basha, librat e të cilit janë përkthyer në disa gjuhë, thotë se letrat shqipe në botë ndonëse janë të pranishme, kjo prani është e pamjaftueshme. “Përveç Ismail Kadaresë, që është autor shumë i përkthyer, ka edhe autorë të tjerë shqiptarë të cilët përkthehen”. Basha thotë se në anën tjetër, veprat e gjuhëve të huaja që “hyjnë” në gjuhën shqipe, kriteret e përkthimit në Kosovë varen nga interesat e shtëpive botuese. Sipas redaktorit të shtëpisë botuese, e cila përkthimin e fundit e ka “Antologjia dhe teatri francez në shek. XX”, në Shqipëri për dallim nga Kosova, përkthehet më shumë për arsye sepse, siç thotë ai, lexohet më shumë e kërkesat janë më të mëdha, por edhe pse ka burime të ndryshme materiale për përkthyesit.

Dramaturgu, Arian Krasniqi, si një autor i përkthyer në gjuhët e huaja, thotë për “Zërin” se letërsia shqipe, sidomos ajo që krijohet në Kosovë, duke përfshirë të gjitha zhanret e saj, nuk është shumë e pranishme përmes përkthimeve jashtë kufijve të shtetit në masën e dëshiruar. “Megjithëkëtë, ka hapa pozitivë që flasin për një trend në rritje të interesimit për përkthimin e letërsisë shqipe në gjuhë të huaja. Ndërsa, sa i përket përkthimit të letërsisë së huaj në atë shqipe, është evidente se ajo më shumë përkthehet e botohet në Shqipëri sesa në Kosovë”, pohon Krasniqi, duke shtuar se në të dy rastet, mungon një përkrahje më e madhe institucionale që stimulon përkthimin dhe promovimin e letërsisë shqipe në gjuhë të huaja, si dhe anasjelltas.

Shkrimtari e studiuesi, Gëzim Aliu, thotë se letërsia shqipe e Kosovës është fare pak e pranishme jashtë kufijve. “Përkthimi i letërsisë shqipe të Kosovës në gjuhët evropiane është i volumit të ulët, por vetë përkthimi nuk do të thotë edhe depërtim. Depërtimi deri te lexuesi i atjeshëm është çështje krejt tjetër. Ka autorë të Kosovës që janë përkthyer dhe ende përkthehen, por veprat e tyre shquhen kryesisht për këtë: ato janë përkthyer, kaq!”, pohon Aliu për gazetën “Zëri”.

“Në të vërtetë, shumë shkrimtarë ia kanë ndrequr qejfin vetes përmes formave të ndryshme të përkthimit, sidomos në gjuhët ballkanike, mirëpo e vërteta është se ata e ato janë fare pak të njohur për publikun atje”, thotë Aliu, duke shtuar se letërsia shqipe e Kosovës është pak e njohur në Evropë e botë, ashtu siç është, tekefundit, edhe krejt letërsia shqipe.

Aliu duke folur rreth sasisë dhe cilësisë së veprave të përkthyera, thotë se zakonisht në Kosovë vijnë përkthime të autorëve të huaj, të bëra në Shqipëri, por përkthime profesionale të letërsisë bëhen edhe këtu. “Ka sasi veprash të përkthyera, që deri diku e plotësojnë ecjen me zhvillimet në botë, e sa për cilësinë mund të diskutohet, por, shpesh më qëllon të shoh libra të përkthyer mirë, mirëpo gjithashtu ka edhe shumë libra të përkthyer pa kriter e shkel e shko”, thotë Aliu, derisa shton se përkthimi, si shndërrim gjuhësor i një teksti nga një gjuhë në një tjetër, do kreativitet, e si i tillë është shumë i vështirë.
Abdullah Zeneli, redaktor në shtëpinë botuese “Buzuku”, thotë se cilësia e përkthimeve është relative, sepse çdo shtëpi botuese i ka interesat e veta, e nuk është çështje që mund të dirigjohet nga institucionet shtetërore. “Po të kishte vullnet të mirë nga instancat qeveritare, sigurisht që përkthimi do të ishte në nivel krejt tjetër”, thotë Zeneli.

“Në Shqipëri përkthimi është krejt në gjendje tjetër, qoftë për arsye që atje ka përkrahje materiale, por edhe pse ministrja e Kulturës vjen nga bota e përkthimeve, ndërkaq ne këtu kemi një ministër që nuk ka “haber” dhe rrjedhimisht gjendja e librit është skandaloze”, pohon Zeneli.

Sipas tij, shtëpia botuese “Buzuku”, përkthen problematika aktuale në botë, autorët dhe veprat më të lexuara në botë. Ndryshe, përkthimi “Mori fund Eddy Bellegueule”, nga Edouard Louis ishte një ndër përkthimet më të suksesshme të këtij viti në Kosovë, libër ky i botuar nga "Buzuku" (përktheu Anila Xhekaliu). “Në Kosovë është më mirë të jesh bujk, sesa të jesh përkthyes sepse po të jesh bujk atëherë ke ndonjë mundësi që të përkrahesh dhe të marrësh një subvencion nga shteti, kurse po të jesh përkthyes dhe botues je totalisht i injoruar dhe i papërkrahur”, pohon ai, duke përfunduar se duhet t’i kushtohet vëmendje më e madhe diplomacisë kulturore, e cila, sipas tij, ka munguar deri më tani.

Xhemal Avdyli, nga shtëpia botuese “OM” që merret edhe me përkthimin e librave, thotë se përkthyesit në Kosovë janë jashtëzakonisht larg nga interesimi apo dhe mundësia që të përkthejnë vepra apo kryevepra botërore. “Sa u përket autorëve tanë që përkthehen në gjuhë të huaja, jemi jashtëzakonisht në pikë kritike sepse kemi pak ose aspak libra të përkthyera në gjuhët e huaja dhe edhe ata që janë, përzgjedhjen e bëjnë jo kushedi se me çfarë vlerash”, ka thënë Avdyli për “Zërin”.
30 shtatori shënon Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit nga viti 1953, dhe përkrahet nga Federata Ndërkombëtare e Përkthimit.


Komento
Komente (1)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Sqarim: Përkthimi më i suksesshëm i vitit të kaluar botuar nga "Buzuku" është Mathias Enard: "Tregoju për betejat, mbretërit dhe elefantët", përkthyer nga Izet Sylaj. Sivjet (deri tani) është Edouard Louis: "Mori fund Eddy Bellegueule", përkthyer nga Anila Xhekaliu, që për dy muaj përjetoi dy botime (nga panairi i librit i Prishtinës, qershor). Edouard Louis ishte në Prishtinë, madje qe shpallur autori i huaj më i mirë... MKRS-ja nuk e bleu romanin më të mirë të vlerësuar nga juria e saj "e mençur", por që Këshilli i Librit është edhe "më i mençur", duke e injoruar atë! Epo, rroftë Këshilli i Librit!
Abdullah Zeneli
rekomanduar (6)
30 Sep 2014
11:06
 
Me shume nga Kultura
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
redaksia@zeri.info | marketingu@zeri.info | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51