Kronika e zezë

Ballina / Kronika e zezë / Kronika e zezë
Ndërron jetë Besart Gashi i cili vuante nga leukemia
Publikuar: 30.09.2014 - 10:42

Besart Gashi i cili vuante nga leukemia, ka ndërruar jetë sot.

Besart Gashi, i cili për shërim kishte qëndruar në Turqi dhe mendohej se pas kthimit nga Turqia është shëruar por sot papritmas ka ndërruar jetë.
Besart Gashi madje kishte falënderuar të gjithë derisa ai kishte thënë se të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë, nuk duhet të ngurojnë që ta kërkojnë atë.

Fatkeqësisht i riu nga Malisheva nuk arriti t’i mbijetoj sëmundjes.

Më poshtë ju sjellim tekstin që gazeta Zëri ka shkruar kohë më parë :

Luftë me kohën për jetën e vëllait!

Qëndrim Gashi nga fshati Pllaqicë i Malishevës është vetëm 20 vjeç, mirëpo nëse e dëgjon duke folur, të duket se ka dyfishin e tyre me pjekurinë dhe vendosmërinë. Ai është vëllai i madh i Besart Gashit, 19-vjeç, i cili tash e një vit është duke u mjekuar në Turqi nga leukemia akute. Qysh nga vegjëlia Qëndrimi ka qenë sikur baba për Besartin dhe gjithmonë është kujdesur për të. Duke qenë se shkollën e kishin larg, ai e kishte pritur një vit Besartin për të nisur shkollën fillore bashkë. Aq kanë qenë të pandarë sa që shumë njerëz kishin menduar se ata janë binjakë.

Mirëpo, sfida më e madhe e Qëndrimit karshi vëllait nisi vetëm një muaj para se të përfundonin shkollën e mesme, ditë të cilën edhe prindërit e tyre po e prisnin me krenari kur dy djemtë e tyre do të shkonin në mbrëmjen e maturës. Mirëpo, kjo nuk ndodhi asnjëherë. “Binjaku” i vogël i Qëndrimit, Besarti u diagnostikua me leukemi akute, duke i shkatërruar ëndrrat e të gjithë familjes e në veçanti Qëndrimit, i cili synonte të bëhej një avokat i ardhshëm.

Përderisa, Besarti nuk arriti të përfundojë shkollën e mesme pasi që u detyrua të shkojë për trajtim mjekësor jashtë vendit, Qëndrimi e bëri atë madje u regjistrua edhe në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës. Por, duke e parë që gjendja e vëllait nuk po përmirësohet dhe nevoja për para po rritej dita ditës më shumë, Qëndrimi mblodhi forcat edhe njëherë për të bërë sakrificën më të madhe për “vëllain e tij të vogël”.

Ai la studimet, megjithëse mësimi i shkonte mirë, dhe me trup e me shpirt u dha pas shërimit të Besartit. Qëndrimi nuk është aspak pishman për lënien e shkollës. Për të me rëndësi është shërimi i vëllait të tij pasi që për shkollë ai thotë se do t’i gjejë kohën përsëri. “Nuk jam pishman aspak që e kam lënë shkollën edhe pse ajo ishte ëndrra ime. Kjo është më e pakta që mund të bëj për vëllain tim. Ne kemi qenë të pandarë deri më sot e as sot e tutje nuk e kam ndërmend që ta lë vetëm”, ka thënë Qëndrimi.

Ju lutem, më ndihmoni ta shpëtoj vëllain

Rrallë, por ndodh që edhe më të fortët të dorëzohen dhe të kërkojnë ndihmë. Edhe për një vëlla si Qëndrimi të vendosur e sypatrembur karshi sfidave për të ndihmuar vëllain e vogël, gjërat ndonjëherë dinë të jenë të paarritshme dhe më të mëdha se forca e tij shpirtërore.

Vëllai i tij Besarti, pas një viti me terapi, tash ka nevojë për transplantim urgjent të palcës kurrizore, e cila kap shifrën e 100 mijë eurove. Si një person krenar dhe që nuk është mësuar t’i përulet askujt, Qëndrimi kësaj radhe sado që i vjen zor është detyruar ta bëjë për Besin e tij të dashur. Ai me zor shqipton fjalët përderisa provon të kërkojë ndihmë.

“Ju lutem, më ndihmoni që të shpëtoj vëllain tim. Ai është gjithçka që kam dhe jeta pa të për mua nuk ka kuptim”, thotë Qëndrimi, duke iu dridhur buza dhe me lot në sy. “Është detyrë e imja si vëlla i madh që të kujdesem për të, mirëpo tani nuk është më në duart e mia. Shuma që na është kërkuar për transplantimin e palcës kurrizore është shumë e madhe dhe e papërballueshme. Ne e kemi shitur edhe tokën që kemi pasur këtu, mirëpo ato nuk kanë mjaftuar as për terapinë që është duke marrë në Turqi. Me 18 mars në Turqi do të arrijë dhuruesi i palcës kurrizore nga Gjermania, i cili ka dalë vullnetar dhe ka dashur të jetë anonim, mirëpo prapë operacioni dhe shpenzimet tjerat të spitalit janë të mëdha”, rrëfen i përlotur Qëndrimi.

Në rast të sigurimit të mjeteve për të kryer transplantimin, mjekët u kanë thënë se suksesi i operacionit është 99 për qind i sigurt.

60 mijë euro për një jetë

Pas trokitjeve të panumërta të Qëndrimit në Ministri dhe administrata të ndryshme ai ka arritur që të sigurojë një donacion prej 30 mijë eurove nga Qeveria e Kosovës, të cilat kanë dalë drejt në llogarinë e spitalit në Anadoll ku planifikohet të bëhet transplantimi.

Mirëpo, që kjo të ndodhë Qëndrimi duhet të sigurojë edhe 60 mijë euro të tjera, pasi që ai ka edhe disa para të tjera të mbledhura në llogarinë e Besartit, e cila është e hapur për ndihmë.

“E di që është shumë e madhe parash. Të them të drejtën unë nuk jam ndalur asnjëherë duke punuar që të gjej mënyra për të siguruar para, mirëpo tani kanë filluar të më shuhen shpresat. Koha është e shkurtër, ndërsa shuma është e madhe. Unë e di që të gjithë mbase janë lodhur duke dhënë para për rastet e shumta të sëmundjeve që po ka në Kosovë dhe i kuptoj të gjithë. Mirëpo thirrja ime shkon për të gjithë ata të cilët e dinë se çfarë është për të luftuar për jetën e personit që do më së shumti në jetë. Për jetën e personit që i jep kuptim jetës tënde”, thotë Qëndrimi.

Edhe pse i ri në moshë, 19 vjeç, Besarti është fejuar në klasën e 13-të të shkollës së mesme me dashurinë e tij, Mirjeta Berisha. Ajo ka një vit që po e pret atë që të shërohet.

Kthimi i Besartit pranë të fejuarës së tij është një tjetër qëllim, që Qëndrimi i ka vënë vetes. “Për të gjithë ne kjo situatë është e vështirë. Mirëpo për Mirjetën e di që mund të jetë më së vështiri. Ata janë njohur herët dhe të rinj andaj e di që është e vështirë për të dy. Unë dua që t’i shoh të lumtur përsëri ata dy së bashku”, rrëfen 20-vjeçari.

Ky muaj vendimtar për Besartin

Qëndrimi rrëfen se në bisedat e tij me doktorët në Turqi, ata i kanë thënë se Besi është shumë pozitiv dhe me vullnet të fortë dhe vetëm kjo e ka mbajtur deri më sot.

“Ai ka qenë gjithmonë më sportiv se unë. Ai është duke u mbajtur mirë deri më tani pasi që ka imunitet dhe vullnet të fortë për t’u kthyer në mesin tonë. Mirëpo sëmundja ka nisur të hyjë në fazën e fundit të saj. Leukemia ka dalë në lëkurë dhe tash së fundmi kemi paguar 15 mijë euro vetëm terapi për këtë gjë. Nëse sëmundja i kalon në asht atëherë kjo do të ketë pasoja fatale për të. Megjithatë unë dua të besoj se deri më 18 mars ne do të arrijmë që të sigurojmë të paktën 70 për qind të shumës së kërkuar në mënyrë që spitali ta marrë parasysh dhe ta pranojë për transplantim Besartin. Unë nuk do të ndalem deri në momentin e fundit edhe nëse do të më duhet të shkoj deri në fund të botës. Mirëpo, kësaj radhe kam nevojë edhe për ndihmën tuaj. Unë falënderoj të gjithë ata të cilëve vetëm mendja u shkon për të na ndihmuar”, përfundon Qëndrimi.


Komento
Komente (5)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Zoti me ahret Besartin e familjes Gashi Zoti sabrin e gajretin,Zoti ju lashte shnoshe.
endrit veselaj
rekomanduar (6)
30 Sep 2014
20:29
 
Zoti me ahret Besartin e familjes Gashi Zoti sabrin e gajretin,Zoti ju lashte shnoshe.
Goni ..
rekomanduar (12)
30 Sep 2014
14:09
 
Zoti ne xhenet te pas qu o engjell i kosoves.
ballisti
rekomanduar (20)
30 Sep 2014
11:29
 
ngushllime familjes Gashi
mentor krasniqi
rekomanduar (17)
30 Sep 2014
11:29
 
Ngushllime Familjes Gashi
Mentor Krasniqi
rekomanduar (13)
30 Sep 2014
11:27
 
Me shume nga Kronika e zezë
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
[email protected] | [email protected] | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51