Opinione

Ballina / Opinione / Komente
Zonja presidente, drita e shpresës për Kosovën
Aida Dismondy Publikuar: 30.09.2014 - 12:42

Kosova kishte rast për festim në 23 shtator 2014: Presidentja, Afitete Jahjaga, u nderua për punën e saj si udhëheqëse e shtetit nga Clinton Global Initiative (CGI). Ndërsa, mediet dhanë lajmin, shumëkush në vend të gëzimit filloi të hedhë fjalë e të analizojë fije për pe si e qysh e tek ç’mund të thuhet negative për këtë nder që iu bë presidentes Jahjaga. Natyrisht, shumica e tyre ishin të gjinisë mashkullore, që më tepër e panë këtë okazion festues si okazion për ta atakuar zonjën presidente.

Veç me kritikën e tyre në këtë rast shumë treguan dhe dritëshkurtësinë e tyre, e mbi të gjitha sesa punë akoma kemi si popull për të bërë për të respektuar dinjitetin që meriton gruaja e shoqërisë sonë. Sa punë mbetet akoma për të krijuar një mentalitet tjetër për aftësitë drejtuese të grave, potencialin për zhvillim që shoqëria humb, kur gratë e vajzat ndrydhen e denigrohen, pasi një trup nuk ecën përpara kur gjysma e tij abuzohet e dhemb. Ky rast tregoi dhe një herë anën e vërtetë të shoqërisë sonë: një grua nuk i shpëton dot poshtërimit maskilist, qoftë kjo dhe kur bëhet fjalë për kryetaren e shtetit. Qoftë kjo, kur kryetarja e shtetit njihet e respektohet nga kolegët e saj për punën e mirë qe ajo ka bërë e që vjen si një lajm i mirë në këtë kohë, kur gazetat e mediet janë mbushur me “ngërçin” që burrat e shtetit prej egos së tyre të fryrë si tullumbace e kanë shtënë këtë vend. Në vend të krenohemi, lapsat janë gati për të vjellë e postuluar kritikat.

E pra, ky rast ishte rast për festim me tupanë, pasi rëndësia e nderimit shkon përtej vetëm rëndësisë së njohjes së punës udhëheqëse së presidentes Jahjaga. Sikurse, presidentja u shpreh, ky çmim është për “popullin e Kosovës” një popull që me vendosmëri ndërtoi një shtet nga hiri i luftës.

Ky shtet, Kosova, në CGI u vu përsëri për mirë në hartën e botës, dhe në vëmendjen e mbi 1000 udhëheqësve botërorë nga çdo fushë e politikës, industrisë, ekonomisë që mblidhen në CGI. Kjo njohje e presidentes Jahjaga vuri në vëmendjen e çdo personi aty që mbase më parë nuk kishte dëgjuar për Kosovën të mbajë vesh për përparimin që ka bërë Kosova në këto vite të formimit të saj si shtet. I mbylli gojën skeptikëve, që populli i Kosovës nuk duhej të shpallte pavarësinë, dhe riafirmojnë komunitetin ndërkombëtar se ndihma e dhënë këtij populli, këtij shteti të ri ishte e vlefshme.

Më tej, i hapi dyert e bisedës për Kosovën në rrethe që më parë ishin të mbyllura. Rëndësia e nderimit të presidentes Jahjaga është nderi që iu bë edhe Kosovës si një shtet. Çfarë shteti është Kosova? Sërish, në fjalët e presidentes Jahjaga “ne [populli] vendosëm të ndërtojmë një Kosovë ndryshe” të përbërë nga multietnicitete dhe besime, që ka aleancën e NATO-s dhe BE-së, e që historia e saj [ajo e Kosovës] të jetë një narrative e “suksesshme e shpresës.”

Presidentes Jahjaga në fjalën e saj tregoi se është një udhëheqëse me të cilën Kosova do të krenohet, pasi po e paraqit me dinjitet shtetin e ri të Kosovës dhe po ndërton mbarë botës emrin e mirë për këtë shtet. Nderi që iu bë presidentes Jahjaga për punën e saj si udhëheqëse e kryetare shteti është kulminimi i punës së saj si Zonjë shteti, njohja e meritës së saj personale për mbarëvajtjen paqësore dhe të mire të shtetit të Kosovës, në vite kur politika vendase ka qenë e mbetet akoma e brishtë. Presidentja Jahjaga punon që çdo shtet i botës ta njohë Kosovën. Por, si në çdo ndërmarrje dhe në politikë gjithçka fillon nga personi dhe mënyra sesi personi perceptohet. Dinjiteti, serioziteti, pjekuria dhe aftësitë udhëheqëse të presidentes Jahjaga si ndërtuese dhe udhëheqëse shteti janë meritë e saj personale që drejtpërsëdrejti ka ndikuar e po ndikon në rritjen e emrit të mirë të Kosovës. Për këtë merite ajo u njoh nga kolegët, për këtë meritë zonja presidente meriton të festohet për nderin që iu bë.

Po ashtu, në intervistën e saj dhënë në mediet në SHBA, ishte kënaqësi ta dëgjoje vizionin e saj si presidente. Këmbënguljen e saj së Kosova nuk do të bëhet korridor i ekstremisteve, se populli i Kosovës është paqe dhe liridashës dhe nuk do të lejojnë radikalizmin ekstrem. Gjithashtu, Zonja Presidente tregoi strategen në angazhimin ushtarak, duke propozuar se lufta kundër ISIS-it do të vijë si rezultat i kolaboracionit shumë shtetëror. Megjithatë, puna e saj nuk pati shumë mbulim në media, pasi analistët ishin më tepër të zënë me shkoqitjen e çfarë zonja presidente nuk tha sesa me paraqitjen dinjitoze që Presidentja Jahjaga po bën në rritjen e emrit të mirë për shtetin e Kosovës.

Megjithatë, përpos negativitetit patriarkal, fakti është se presidentja Jahjaga ka treguar se po ecën me këmbët e veta, e se në kohën që i ka mbetur në mandatin e saj do të vazhdojë të ndërtojë emrin e mirë për Kosovën, kudo që Zonja Presidente shkon e kudo që angazhohet.

Dinjitetin e Kosovës sot në botë e përfaqëson denjësisht një grua për këtë duhet të jemi të gjithë krenarë. Madje, ajo meriton një pritje madhështore nga populli i Kosovës dhe tërë kasta politike e saj, më madhështore se pritja që iu bë Haradinajt, kur u deklarua i pafajshëm. Pse? Sepse në këto kohë të zymta të politikës mashkullore kosovare, presidentja Jahjaga po ndërton emrin e mirë për shtetin e Kosovës, duke ndezur dritën jeshile të shpresës për të ardhmen e saj.


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Opinione