Opinione

Ballina / Opinione / Komente
Kompleksi Atifete…
Arbër Selmani Publikuar: 30.09.2014 - 12:43

Dashuria për Atifeten nuk njeh kufi. Është platonike, e përtejme. Është dashuri që nuk do t'i kishte lakmi askush, askund në botë. Është dashuri që nuk ndodh kurrë dhe kur ndodh në nanosekondin e parë kthehet në një përmbushje të egos, duke rrotulluar gjithçka në një përbuzje, nënçmim, madje asocim me pozitën e saj si grua dhe prejardhjen e saj katunareske.
*
Dashuria jonë ndaj të parës së shtetit gjithmonë vjen me sharje, ofendime, me një rrebesh kritikash dhe me shitje pallavrash e teza intelektuale që në mënyrë hipotetike e bëjnë Atifeten kësi, ose asi. Dashuria jonë për Atifeten është diçka që nuk do të ndodhë as në ëndrra, as në përrallë e as kur atë e lëvdon edhe Gjermania ose Amerika. Jemi kaq të vendosur ta privojmë Atifeten nga dashuria.
*
Kur Jahjaga pati folur në TEDxAmsterdam mendova për pak se qëndrimi ynë karshi saj mund të ndryshojë. E dikush erdhi e më tha “e ka lexuar tekstin në promter, normalisht që anglishtja i ka rrjedhur mirë”. Edhe aty nuk na pëlqeu, kur realisht foli mes të tjerash për luftën që ndodhi para disa vitesh, për viktimat, për gjenocidin dhe mohimin e të drejtës elementare për jetë. As aty Atifetja nuk na pëlqeu. E përbuzëm, e përqeshëm dhe madje të vërtetat që i tha dolën sekondare e terciare, krejt pas ndjenjës së përbuzjes që kishim për gjithçka që ajo grua paraqiti në këtë mbrëmje.

Dikujt nga publiku edhe mund të mos i ketë pëlqyer kostumi i saj apo mënyra se si ajo rregullon flokët, por krejt larg asaj ata që çmojnë këto fjalime e kuptuan sinqeritetin e kësaj gruaje. Nëse dikush u përlot nga publiku, them se pa dashje na rrëzoi intelektin e cektë që shumica prej nesh e kemi. Që asnjëherë nuk provuam veç pak ta pëlqenim këtë grua, në të cilën ka vend për përmirësim, si në secilin prej atyre që i kemi votuar tash e disa vite e krejt çka na kanë sjellë janë premtime, incizime bisedash rrugaçësh dhe seanca të cofëta kuvendi.
*
E ne vazhdimisht merremi me gjithçka në figurën e kësaj gruaje PO ka dalë nga zarfi dhe PO nuk e kemi zgjedhur ne. Nuk është e zgjedhura jonë, por kjo nuk e bën një nga “ata tjerët”. Ajo është një nga ne, nga ne që nuk jemi shumë dhe kaq sa jemi besoj duhet të mbështetemi tek njëri-tjetri. PO, Atifetja ka bërë për viktimat e dhunimit të luftës në Kosovë më shumë se gratë tjera të Qeverisë së Kosovës dhe PO mund të ishte edhe një tjetër më e shkolluar, më e bukur, më e sofistikuar, më e edukuar e rafinuar, por edhe PO, e zgjedhur prej nesh. Por dosido, do të duhej ta promovonim guximin e saj dhe imazhin që ajo po i sjell shtetit. Para së gjithash, ajo nuk është akuzuar për trafikim me organe njerëzore dhe ishte e vështirë të gjeje një burrë në këtë Qeveri që me faqe të bardhë të na printe në pozitën që kjo grua mban.
*
Në një shoqëri patriarkale si e jona, averzioni ndaj një gruaje në pushtet nuk vjen si bumerang. E kemi gjykuar aq shumë çdo veprim që ajo ka bërë, çdo veshje që ajo e ka në trup dhe çdo grimasë, e cila ka dalë nga fytyra e saj. E kam bërë edhe unë. Shumica, të njëjtat veprime nuk i kemi gjykuar në relacion me meshkujt, shembull.
*
E krejt urrejtja, që lidhet me këtë grua, buron më së paku nga ajo. Neve në fakt na pëlqejnë shumë pak gjëra, dhe destruktivizmi që dita ditës e kemi na bën të mos mendojmë jashtë kutisë. Ne Atifeten e shohim si një marionetë me të cilën luan kjo Qeveri dhe së cilës i ra bingo të jetë përfaqësimi i radhës emblematik i Kosovës në botë. Një kukull e kurdisur. Një mendje që manovrohet si me telekomandë. Një police që dashurohet nga pjesëmarrëset e konkurseve të bukurisë. Një kosovare me anglishte të ngectë. Një grua.

Kujt i bën përshtypje kjo? Nuk pajtohem me parashutizmin e një gruaje të tillë në instancat më të larta të shtetit, por kjo nuk nënkupton zvarritje ditë për ditë të imazhit të kësaj gruaje. Në fakt, nuk po i ndihmojmë as asaj e as vetes. Problemet me fustanin e saj, me Hikmetin, problemet me fjalët dhe mimikën, me Kikin dhe mikrofonin, për çudi nuk ia pamë askujt tjetër pos në intervistat në Kosovë. Kam përshtypjen se kur ajo grua hap gojën, sikur ndjen se ne jemi sy e veshë katër të shohim çka po thotë, pse po e thotë, si po e thotë.

Dhe ne secili jemi analistë e opinionistë, secili më i shkolluar e arsimuar se ajo. Secili kemi kompetencën të futemi në vetë Jahjagën. Secili kemi të drejtë ta krahasojmë atë me një pjesëmarrëse në një konkurs bukurie, kjo krejt për t’u dukur shumë më interesant para të tjerëve. Por PO, jemi ne ata që provojmë të dukemi më interesant sesa vetë ajo grua kur duhet t'i flasë dikujt për vuajtjet tona, apo për fenë, religjionin, e Kosovën si jokorridor të ISIS-it.

E komentojmë sikur ne të ishim brenda zhvillimeve, brenda zyrave, brenda përditshmërisë së saj. Sikur ajo të ishte e Hong Kongut, jo e jona.
*
Si ka mundësi që asnjëherë nuk patëm edhe më të voglën mbështetje për këtë grua? Para së gjithash, ajo është vetëm një nga pjellat e një shoqërie patriarkale, ku gruaja në pozitën e presidentes është dukur absurd i llojit të vet. Mashkull, nuk ka rëndësi çka flet, atë e kemi dashur gjithmonë. Mashkull dhe kaq, qoftë Hashim ose Isë ose Ramush ose Behxhet. Ka pak rëndësi, gjinia është mashkull. Mashkull edhe pa tru madje. Dhe kjo grua, kjo femër që nga secili prej nesh ka kërkuar një marrëveshje të pashkruar dhe një aleancë drejt edhe forcimi të pozitës së gruas në shoqëri e në politikë, duke mos dashur ta thumbojë maskulinitetin që mbizotëron kudo, krejt çka ka gjetur janë komentet tona shterpë, që gjithmonë lidhen me faktin se ajo nuk është e përzgjedhura jonë dhe si e tillë është e dënuar në mosbesim kontinuel, derisa të jetë e tillë. Thuajse të gjithë të përzgjedhurit tanë na dolën të lulëzuar e të bollshëm. Thuajse, ata që i zgjodhëm e justifikojnë krejt hamamin që i shkaktuan këtij vendi, neve.
*
PO, e përsëris, atë nuk e kemi zgjedhur dhe me vetëdëshirën qytetare nuk do të dilte e para në listë për të marrë fronin e shtetit. Por, këmbëkryq e pritëm dhe prandaj do të duhej ta përkrahim e jo ta glorifikonim të qenit normal, të qenit një grua që para së gjithash i prin një populli në formim të identitetit të tij. Atifetja meriton hapësirën tonë, hapësirën përtej ideologjisë patriarkale dhe idesë së një femër e grua është e mirë me gojën mbyllur.

Ne jemi njëjtë si Atifetja. Në mënyrë naive, do të duhej ta donim pak më shumë Atifeten.


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Opinione