Sporti

Ballina / Sporti / Vendore
Trepçën e pret dënimi
Moral Pozhegu Publikuar: 01.10.2014 - 10:30

Komisioni Disiplinor (KD) i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka hapur procedurë disiplinore ndaj Trepçës, pas incidentit të ndodhur të dielën në stadiumin “Adem Jashari”.

Gjithashtu, ky Komision ka hapur procedurë disiplinore edhe ndaj FC Prishtinës, edhe pse, sipas pamjeve televizive, shihet se tifozët e saj, “Plisat”, u sulmuan me gurë dhe koktej molotovi, vetëm pak minuta pasi hynë në stadium.

Në arsyetimin thuhet se Trepça bëri organizim të dobët të ndeshjes ndaj Prishtinës, e ndërprerë në minutën e 21-të.

Motivi: sjellja vulgare e tifozëve të këtij klubi, hyrja në terren me ç’rast edhe u ndërpre ndeshja, si dhe sulmi ndaj tifozëve të ekipit mysafir (gjuajtja me gjësende të forta dhe të rrezikshme, koktej molotovi etj).

Kurse, Prishtina akuzohet se tifozët e saj i demoluan ulëset në stadium.

Haxhiu: Kjo është marri

Trepça e ka quajtur qesharak vendimin për hapje të procedurës disiplinore ndaj këtij klubi. Nënkryetari Avni Haxhiu insiston se “Xehetarët” nuk kanë faj për përleshjen në distancë të tifozëve.

“Inicimi i procedurës disiplinore ndaj nesh është marria më e madhe që ka mundur të ndodhte. Vetë kryesia dhe lojtarët e Prishtinës kanë thënë se askush nuk i ka sulmuar, madje na kanë falënderuar për mikpritjen neve si klub, ndërsa ky vendim është një zbulim i atyre që e kanë marrë atë. Po mendoj se këtë po e bëjnë disa persona tendencioz”, thotë Haxhiu për “Zërin”, i cili e fajësoi direkt policinë dhe Komandantin e saj për incidentin.

Federata dënon incidentet

Komiteti Ekzekutiv (KE) i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) i ka dënuar ashpër incidentet e fundit që ndodhën në futbollin kosovar dhe shkaktarët e tyre, fillimisht në ndeshjen Prishtina – Vëllaznimi dhe rasti i fundit në Trepça – Prishtina.

KE i FFK-së kërkon nga Komisionet relevante që me përpikëri t’i zbatojnë aktet dhe t’i dënojnë keqbërësit.

Gjithashtu, FFK u bëri thirrje klubeve që ta shtojnë nivelin e organizimit dhe të bisedojnë me grupet e tyre të tifozëve, për t’i mënjanuar këto incidente.

Citat
“Nuk besoj që duhet të dënohemi ne si klub, kur edhe prijësit e tifozëve tanë janë munduar t’i qetësonin shikuesit tjerë. Ne si klub jemi kundër vandalizmit”
Avni Haxhiu, nënkryetar i Trepçës


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Sporti