Kultura

Ballina / Kultura / Kultura
Kosova harron Ditën e Përkthimit
Qëndrim Muçolli Publikuar: 01.10.2014 - 09:05

Dita Ndërkombëtare e Përkthimit në Kosovë u shënua me vetëm një ngjarje, dhe kjo e organizuar nga “Klubi i shkrimtarëve”. Në asnjë formë a manifestim tjetër institucional nuk u fol e nuk u përmend dita e urave të qytetërimeve.

Ministria e Kulturës përligj injorimin e saj me përkrahjen financiare që i ka dhënë “Klubit...” e në kuadër të tij dhe ngjarjes “Dritaret e përkthimit”. Përkthyesit letrarë në këtë Ditë Botërore të Përkthimit ndiejnë më shumë revoltë ndaj përbuzjes që i bëhet përkthimit si akt letrar dhe standardit që nuk e ka. Vlera e përkthyesve, për të cilët thuhet se mbajnë gjallë shpirtin e epokave, duket frazë e ftohtë për institucionet në Kosovë.

Shkëlzen Dragaj, shef i kabinetit të ministrit të Kulturës, për gazetën “Zëri”, tha se Ministria nuk ka bërë ndonjë organizimin konkret nga ana e tyre për Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit, por ka përkrahur një projekt për këtë qëllim. “Ministria e Kulturës, në kalendarin e saj vjetor ka përkrahur Klubin e Shkrimtarëve të Kosovës, të cilët kanë organizuar një ngjarje për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit”, pohoi Dragaj.

Ndërkaq, shkrimtari dhe studiuesi, Adil Olluri, anëtar i kryesisë së Klubit të Shkrimtarëve të Kosovës, ka thënë se me gjithë përkrahjen e Ministrisë së Kulturës për organizatën që drejton, përkrahja nga institucioni më i lartë i kulturës në vend është i vogël. “Ne kemi marrë mbështetje nga Ministria e Kulturës, për të realizuar projektet tona, e një ndër to është edhe organizimi i ngjarjes “Dritaret e përkthimit”, që është ngjarja e parë pas luftës në Kosovë që i kushtohet përkthimit”, ka thënë Olluri për gazetën.

Por Olluri shton se përkrahja e MKRS-së për Klubin e shkrimtarëve është e pamjaftueshme, duke potencuar se ka diskrepanca të mëdha në financimin e projekteve. “Shuma (dymijë euro) me të cilën ne përkrahemi nga ana e Ministrisë mund të them që është qesharake, duke krahasuar se PEN Qendra dhe Lidhja e Shkrimtarëve, përkrahen me 10 mijë euro, respektivisht 12 mijë euro, derisa ato kanë shumë më pak aktivitete të organizuara se ne, edhe pse ne kemi përkrahje shumë më të vogël”, thotë Olluri. Duke folur rreth rëndësisë së përkthimit, ai thotë se përkthimi letrar është një dritare pa të cilën letërsia dhe kultura do të dukej shumë e errët.

Fadil Bajraj, përkthyes i veprave nga gjuha serbe në gjuhën shqipe e anasjelltas, thotë se në punën e tij shumëvjeçare nuk ka pasur përkrahje as nga familja e tij e lëre më nga institucionet shtetërore. “Përkthimi është punë serioze artistike, e cila në Kosovë asnjëherë nuk është konsideruar si e tillë. Përkrahja për përkthyesit në Kosovë gjithherë ka qenë e dhënë në bazë të interesave klanore. Duhet që të kesh të njohur Thaqin apo Ramushin që të përkrahesh, ndryshe mbetesh në forca tua”, thotë Bajraj për gazetën.

Sipas tij, përkthimi në Kosovë është në nivel shumë më të lartë se ai në Shqipëri, duke shtuar se organizatat e librit në Kosovë duhet të bëjnë më shumë për përkthimin si kategori letrare sepse siç thotë autori, ende nuk është bërë asgjë për këtë.

Botues i veprave nga gjuhët e huaja në shqip, Behxhet Bici nga shtëpia botuese “Elta Bs” thotë se jo vetëm librat e përkthyer por edhe në përgjithësi libri në Kosovë ka pak përkrahje. “Jo pak libra kam të përkthyer nga përkthyes nga Kosova me shpresë që t’i stimulojë por vështirë që punën të cilën do të duhej ta bënin institucionet ta bëjnë botuesit individualisht edhe në vende më me traditë në fushën e botimeve e lëre më në Kosovë”, pohoi Bici, duke shtuar se në vendin tonë as statusi i botuesve nuk është për ta pasur lakmi e lëre më përkthyesit që do të duhej të trajtoheshin shumë më mirë.

 


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Kultura