Ditari

Ballina / Ditari / Shoqëri
Protestat studentore të 97-së, revolucioni i ndryshimit
Anita Kadriu Publikuar: 01.10.2014 - 10:43

17 vjet pas protestave studentore të 1 Tetorit, organizatoret e tyre i vlerësojnë të pasfiduara si ngjarje që bënë kthesë historike për të ardhmen e popullit të Kosovës.

Liderët e atyre protestave nuk e shohin Kosovën sot, ashtu siç e menduan kur projektuan idenë dhe misionin për rezistencë paqësore ndaj regjimit të Millosheviqit. Liderët e atëhershëm duan institucione që krijojnë mirëqenie ekonomike për qytetarët. Studentët e Universitetit të Prishtinës, e shohin revolucionin studentor të 97-së, si guxim intelektual të studentëve të atëhershëm e që duhet të jetë shembull për studentët e sotshëm që të kërkojnë dije, vlera dhe ngritje akademike në UP.

Driton Lajqi një nga ish organizatorët e protestës thotë se ato protesta ishin një revolucion paqësor që ktheu vëmendjen e botës kah një popull që i shkelej e drejta për të jetuar dhe gëzuar mirëqenien arsimore, ekonomike, politike…Lajqi vlerëson se këto protesta ishin ngjarja më madhore që në atë periudhë i ndodhte popullit shqiptar, dhe në tërë këtë lëvizje, ai kujton si kontribuan personalitete, student, qytetarë, e që pati si rezultat lirinë, demokracinë dhe pavarësinë.

“Revolucioni studentor jehoi brenda UP-së, brenda Kosovës dhe tejkaloi kufijtë e vendit deri në arenën ndërkombëtare, duke zgjuar reagimin e faktorit ndërkombëtar dhe aleatëve tjerë si SHBA-së”. Lajqi vlerëson se këto protesta ishin emërues i përbashkët për pjekuri politike, vetëdijesim të qytetarëve të Kosovës për të drejtën për jetuar dhe pasur mirëqenie njerëzore: ekonomike, arsimore, politike…”Për herë të parë këto protesta reflektuan një rezistencë jo violente, paqësore”, thotë Lajqi duke i quajtur dhe sakrificë, pasi që sipas tij me gjithë qëllimin paqësor të tyre protestat u përgjakën nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, që duke dashur të ndaloi protestat ushtrojë dhunë ndaj protestuesve-të rinjve.

Megjithëkëtë, ai tha se protestat e arritën efektin e vet duke u pasuar nga UÇK-ja si forcë mbrojtëse e Kosovës, intervenimi i NATO-së. Por, 17 vite pas, Lajqi thotë se ajo që mendohej atëherë për vendin nuk është arritur. Ai thekson se “të gjithë jemi mëkatar nga pak” pse Kosova nuk ka zhvillim ekonomik. Që vendi të zhvillohet, e quan të domosdoshme që të lihet pas të menduarit e vjetër dhe t’i jepet hapësirë të menduarit të ri, që e drejton Kosovën si vend kapitalist tashmë drejt zhvillimit të vendit.

Pajtim Durmishi kryetar i Këshillit të Studentëve të Fakultetit Filozofik ka thënë se sot ky këshill do të shënojë përvjetorin e 17 të protestave të 97-së. Ai tha se organizimi do të bëhet nga ky këshill në mungesë të një organizimi institucional për të shënuar këtë datë të rëndësishme jo vetëm për Universitetin dhe studentët, por për gjithë vendin.

“Sot, nga ora 11:00, duke u nisur nga Fakulteti Filozofik, Këshilli i Studentëve të Fakultetit do të vizitoj vendin nga ku kanë filluar protestat e 1 Tetorit 1997 - Velaninë ku edhe ishte Rektorati i UP -së.Aty do të takohemi me ish udhëheqësit e protestave të vitit 1997 nga ku më pastaj së bashku do të bëjmë homazhe dhe tek varri i ish rektorit Ejup Statovci në nderim të veprës së tij”, tha Durmishi.

Ish kryetari i Parlamentit Studentor, Mentor Hasani thotë se studentët e gjeneratës së këtyre protestave (97) janë një shembull e motiv për studentët e sotshëm për të realizuar të drejtat që iu takojnë. “Studentët tash kanë nevojë për një ambient cilësor studimi. Sot studentët duhet të bëjnë rezistencë për dije dhe për cilësi në Universitet, të ketë ide për ngritje akademike, kërkim të vlerave në Universitet që jo pak i mungojnë, sepse sot kemi në UP profesor me CV të dyshimtë…”, ka thënë Hasani për “Zërin”


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Ditari
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
[email protected] | [email protected] | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51