Ditari

Ballina / Ditari / Shoqëri
Testi i arritshmërisë, gati
Anita Kadriu Publikuar: 07.05.2013 - 09:33
Foto: Ridvan Slivova

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës (MASHT), po përgatit vlerësimin edhe për semimaturantët (nxënësit e klasave të nënta), që shënon testin e tretë që mbahet brenda një viti në sistemin arsimor në Kosovë, përfshirë atë të maturës dhe klasave të pesta. Qëllimi i këtyre tri provimeve nuk është vetëm vlerësimi i dijes së nxënësve, por edhe i mësimdhënësve e kurrikulave. Të paktën këtë parashohin në programin e vlerësimit edhe pjesëtarë të Divizionit për Vlerësim dhe Standarde në Ministrinë e Arsimit, që bartin barrën e organizimit të këtyre provimeve, hartimin e testeve dhe administrimin.

Udhëheqës të këtij divizioni pranojnë se përveç organizimit të provimit të maturës janë bërë të gjitha përgatitjet edhe për testin tjetër, të arritshmërisë. Sipas të dhënave të grumbulluara nga drejtoritë komunale arsimore nëpër komunat e vendit, këtij provimi pritet t’i nënshtrohen mbi 34 mijë nxënës të klasave të nënta nga të gjitha shkollat e Kosovës, që do të mbahet më 28 qershor.

Testi i arritshmërisë ka qëllim kryesor që në bazë të pikëve që marrin nxënësit të orientohen në karrierë, përkatësisht në klasifikimin e profesionit, duke nisur nga gjimnazi apo shkolla profesionale. Divizioni për Vlerësim dhe Standarde në Ministrinë e Arsimit, sipas Mustafë Kadriut, që udhëheq me këtë divizion ka filluar punën grupi i ekspertëve, i cili është duke bërë finalizimin e pyetjeve për testin e arritshmërisë. Në këtë test, ai tha se do të inkuadrohen të gjithë ata nxënës që përfundojnë klasën e nëntë. Kadriu ka theksuar se zakonisht nga ekspertët marrin një grumbull të madh pyetjesh, që quhet fondi i pyetjeve në bankën e pyetjeve.

“Nga ky fond koordinatorët pastaj zgjedhin pyetjet që konsiderojnë se janë funksionale për testin e arritshmërisë”, ka theksuar Kadriu. Sipas tij testi i klasës së 9-të është duke kryer një detyrë shumë të rëndësishme. “Nga ky test nxënësit rangohen në bazë të pikëve që fitojnë. Asnjë prej tyre nuk do të përsëritet, por vetëm u jep mundësi për t’u orientuar në shkollimin e mëtejshëm”.

Ai shpjegon se pasi të shpallet konkursi, në konkurs paraqitet formula e pranimit nga kjo njësi. “Pra, merret parasysh për secilin drejtim në secilën shkollë, në mënyrë që secili nxënës, në bazë të pikëve, ka mundësi të hyjë në konkurrencë”. Ai ka paralajmëruar nxënësit se nuk është mirë që atje ku nuk i plotësojnë kriteret të shkojnë dhe konkurrojnë. “Aty ku nuk kanë pikë të mjaftueshme, dokumentet nuk ua marrin ato shkolla të cilat nxënësit nuk i plotësojnë kriteret.” Kadriu tha se me anë të testit të arritshmërisë, nxënësit do ta kenë më të qartë se në cilat drejtime do të kenë përparësi për t’u regjistruar dhe të orientohen tek ato.

Kadriu thekson se testi i arritshmërisë ka disa qëllime dhe një ndër qëllimet kryesore ai përmend edhe rezultatet e testit që tregojnë po ashtu nivelin e cilësisë së arsimit. “Me anë të këtij testi matet edhe puna e mësimdhënësve, kurrikulave dhe teksteve shkollore”, thotë ai. Sipas agjendës së këtij provimi vlerësues më 8 korrik do të shpallet edhe konkursi për pranimin e nxënësve në shkollat e mesme, si dhe do të bëhet publikimi i rezultateve. Dhe pas publikimit, Kadriu thotë se nxënësit kanë mjaft kohë të bëjnë ankesa pasi edhe nga vitet paraprake në këtë lloj testi ka pak ankesa dhe ato shqyrtohen brenda afatit konkurrues dhe kandidati merr përgjigjen shpejt në harmoni me datat e konkursit.

 


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Ditari
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
[email protected] | [email protected] | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51