Ekonomia

Ballina / Ekonomia / Ekonomia
Mbijetesa e qytetit të harruar
Saranda Rama Publikuar: 01.06.2013 - 11:08
Foto: Driton Bublaku

Dikur qyteti më i industrializuar në kohën e  ish-Jugosllavisë, me shkallën më të lartë të punësimit për kokë banori, në 39 ndërmarrje shoqërore (NSH)  kanë punuar mbi 20 mijë punëtorë, në fabrikat të cilat kanë arritur të eksportojnë prodhime jashtë Kosovës. Nga fillimi i 70-tave e deri në vitin 1990, ndërmarrjet më të mëdha shoqërore të qytetit të Gjakovës kishin arritur të depërtonin në tregun botëror përtej Jugosllavisë, me një vlerë vjetore të eksportit deri në 200 milion dollarë.

Brendi i tyre dikur i njohur edhe në tregun e huaj, ai i ‘Metalikut’  prodhuese e produkteve metalike, ‘Emin Duraku’ prodhuese e tekstilit, ‘Jatex’ po ashtu prodhuese e tekstilit, ‘Ereniku’, strehë e prodhimit të verës, sot s’janë gjë tjetër pos ndërtesa të braktisura me aparatura të shkatërruara, të cilat tash 14 vjet janë në pritje të investitorëve por t’i rikthyer në jetë. Procesi i privatizimit është pritur si shpëtim i tyre. Nga 39 gjigante të dikurshme, 13 janë privatizuar por vetëm 2 fabrika janë në funksion, duke dëshmuar kështu dështim absolut të procesit të privatizimit të këtyre ndërmarrjeve.

Të privatizuar kryesisht nga viti vitit 2006 si Elektromotori, Mulliri, Modeli, Beci, edhe sot vazhdojnë të jenë joaktive.

Tokat e vreshtave të “Erenikut”, 200 hektarët e privatizuar, të vetmin funksion e kanë dhënien me qera, nga blerësit. I lënë pas dore nga Qeveria e Kosovës, shihet që nga magjistralja Prishtinë- Pejë sapo të merr kthesën tek ura e Klinës,  rrugës për Gjakovë, mbaron edhe investimi në rrugë. Rrugët të kësaj pjese të Kosovës nuk kanë qenë në agjendë të Ministrisë së Infrastrukturës tash sa vjet. Qeveria e Kosovës, bashkë me politikat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, kanë për qëllim që ta lënë këtë qytet “zorrë qorre”, ankohen zyrtarët komunal.

Janë dy fabrika që kanë arritur të  mbijetojnë për më shumë se një dekadë që nga mbarimi i luftës; fabrika për prodhimin e tjegullave IMN, e themeluar në vitin 1922, e privatizuar në vitin 2006, tani me emrin e ri NIKI-S, e cila ka 267 punëtorë dhe ndërmarrja tjetër është Dukagjini, me aksione të përbashkëta e cila merret me ndërtimtari dhe ka 109 punëtorë.

Biznesi i mllefosur me Qeverinë

I mllefosur  me proceset e privatizimit dhe politikat fiskale  dhe për gjithçka që ka hequr për të privatizuar ndërmarrjen dhe sot për të nxjerrë në treg prodhimet tregon për  ‘Zëri’  pronari i NIKI-S, Skender Bajrami.

“Neve na kushton një bllok standard 25 centë me u prodhu ndërsa nga Serbia e pranojnë 19 cent faturimin, ajo është e pakapshme, janë politika favorizuese për Serbinë”, tha ai.

Sipas tij sikur të ishin kushtet dhe politikat qeveritare më të favorshme për prodhimin vendor dhe industrinë, normalisht se mundësitë e investimit dhe rritjet e kapaciteteve prodhuese do të ishin shumë më të mëdha. Kjo sipas tij do të ndikonte edhe në rritjen e numrit të punëtorëve. “Asnjë politikë duke filluar nga politika doganore e cila në Kosovë fatkeqësisht nuk kryen funksionin e vet doganorë por është mbledhës i buxhetit, nuk janë politika aspak të favorshme për prodhim. Politika financiare e bankave të cilat nuk kanë politika për zhvillim të Kosovës por për ta vjelë atë, administrata tatimore, ministria e financave, KEK-u, të gjitha këto institucione nuk ndihmojnë aspak prodhimin vendorë përkundrazi vështirësojnë bizneset me politika të pafavorshme”, tregon Bajrami. Bajrami thotë se ndoshta nuk ka interes kjo qeveri që ta zhvilloj ekonominë e as që ta forcoj financiarisht popullin, por sipas tij është interes ti merr profitet e veta. Ai tha se më shumë favorizohen importet dhe produktet që vijnë nga rajoni se sa vendorët. Kjo ndërmarrje eksporton vetëm në Shqipëri një sasi të vogël vetëm sa për të qenë në treg. “Ndërsa në Kosovë e mbulojmë 30 për qind të tregut”, tregon Bajrami.

Lekaj : “Qeveria largoi investitorë nga Gjakova”

Kryetari i komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, thotë se nuk ka munguar interesimi i investitorëve të mëdhenj për pronën shoqërore, por investitorët janë larguar duke mos gjetur gatishmëri të atyre që janë marrë me shitjen e pronave shoqërore.

“Qeveria e Kosovës nuk e ka ndihmuar Gjakovën në asnjë aspekt, as për funksionalizimin e ndërmarrjeve të mëdha ekonomike që është kompetencë e tyre e as për prurjen e donatorëve e madje nuk është treguar as bashkëpunuese me komunën”, ka thënë Lekaj. Duke e parë se ndërmarrjet shoqërore po mbesin të pazhvilluara, dhe në të njëjtën kohë interesimin e investitorëve të huaj, komuna e Gjakovës kishin kërkuar kompetenca në procesin e privatizimit. “Numri dhe interesimi i investitorëve nuk ka munguar mirëpo investitori nuk ka interes për pronë private kanë qenë të interesuar për pronën shtetërore, për këtë arsye kemi kërkuar kompetenca, por AKP ka refuzuar kërkesën tonë”, tha Lekaj.

Ai akuzon menaxhmentin e AKP-së i dirigjuar direkt nga politikat qeveritare përmes të deleguarve të tyre politikë të painteresuar ta ndihmojnë komunën e Gjakovës. “Thjeshtë nuk kanë dashur ta zhvillojnë këtë komunë, për arsye politike”, thotë Lekaj. Ai tregon për kompani nga Arabia Saudite e interesuar të investojë në fabrikën e “Metalikut”,  e cila është tërhequr pas një kohe duke mos gjetur mbështetje në institucionin që është marr me procesin e privatizimit.

Sipas tij Infrastruktura rrugore si  një prej kushteve të para që një investitor i kërkon tek një vend, nëse dëshiron të investojë aty është rregulluar nga buxheti komunal, pa ndihmën e qeverisë. “Ne i kemi paraprirë zhvillimit ekonomik, fillimisht duke rregulluar infrastrukturën e cila me përgjegjësi të plotë e them se është rregulluar deri në 95 përqind. Rrugët janë të rregulluar siç e parasheh plani rregullues dhe këto janë prijëse e investimeve dhe investitorëve të mundshëm”, tha Lekaj

Bizneset mbajnë gjallë punësimin 

Drejtori i Zhvillimit Ekonomik në Gjakovë, Shpëtim Rezniqi, thotë për ‘Zëri’ se mos të ishin bizneset e vogla dhe të mesme, gjakovarët siç shprehet ai: “më mirë të largoheshin krejt nga këtu”. Sipas të dhënave të nxjerra nga kjo drejtori, numri i bizneseve të vogla dhe të mesme, që janë kompetencë e Komunës, është rrit dukshëm nga viti në vit, që ka ndikuar edhe në punësimin e qytetarëve. Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2006 biznese të vogla dhe të mesme të regjistruara në Gjakovë kanë qenë 581 biznese, ndërsa sot numri i tyre ka arritur 4120.

“Në vitin 2006 në komunën e Gjakovës kanë qenë të regjistruara vetëm 581 biznese. Një vit më pas kur ne e kemi marrë në udhëheqje këtë komunë kemi zbritur taksën e bizneseve për 20 për qind dhe kjo ka nxitur një joshje të bizneseve, dhe tani kemi të regjistruar mbi 4000 biznese në mbarë komunën e Gjakovës”, tha Rezniqi. Sot, falë këtyre bizneseve, në veçanti atyre të mesme siç janë “Nertili” me qindra të punësuar pastaj “ETC” etj, Gjakova numëron gjithsej të punësuar 12 mijë persona, në të gjithë sektorët qofshin privatë apo publikë, por më shumë se gjysma janë të sektorit privat. Edhe pse ky numër vazhdon të jetë i ulët, krahasuar me vitet paraprake ka shënuar rritje. Dokumentet tregojnë se në vitin 2009 të punësuar gjithsej në Gjakovë kanë qenë 8 mijë persona, në të gjithë sektorët. Sipas të dhënave të nxjerra edhe nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në këtë komunë ka rënie të madhe edhe të atyre të regjistruar si të papunë. Sipas statistikave të kësaj ministrie, në vitin 2010, të regjistruar si të papunë në këtë komunë kanë qenë jo më pak se 40 mijë persona, në vitin 2011, rreth 30 mijë, ndërsa në vitin 2012, numri ka rënë në 15 mijë.

Sipas drejtorit Rezniqi, gjithsej të punësuar në Gjakovë në vitin 2009 kanë qenë 8 mijë ndërsa sot janë 12 mijë, por ky numër ai thotë se mund të jetë edhe më i madh, për shkak se shumë biznese sidomos ato të vogla, nuk i regjistrojnë fare punëtorët e tyre. Një tjetër çështje është edhe punësimet sezonale, që bëhen e që ato nuk janë fare në listë ne punëtorëve, shton ai. Pos kësaj, është edhe zhvillimi i bujqësisë.

Gjakova ka qenë e njohur për tokë pjellore, për kultivimin e vreshtave.

Pas luftës në mungesë të mjeteve e financimit ato kanë mbetur të pakultivuara në tërësi.

Të dhënat nga komuna e Gjakovës për bujqësi viteve 2004, 2005, 2006, nuk ka kaluar shuma mbi 10 mijë euro në vit. Por, vitet e fundit, drejtoria për bujqësi në këtë komunë ka ndarë shuma deri në 1 milion euro në vit.

Sot në këtë vend ujiten rreth 6 mijë hektarë tokë. Kjo ka bërë që tokat rurale të punohen më shumë dhe të shfrytëzohen nga fermerët për bujqësi.

Shpresa tek parku i biznesit dhe Çarshia e Vjetër

Pamundësia për të menaxhuar me ndërmarrjet e mëdha ka detyruar Komunën që të gjejë alternativa tjera për ta ringjallur ekonominë në komunën e Gjakovës. Projekti për ndërtimin e një parku të biznesit në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë mendohet të jetë njëri nga projektet i cili do të ringjallë shpresat e banorëve të kësaj komune. “Ne kemi arritur që të ndajmë 15 hektarë për parkun e biznesit, do të jetë investim 50 me 50 me Ministrinë e Tregtisë. Në këtë park do të futen kompani prodhuese të cilat kanë për destimin tregun e jashtëm. Arsyeja pse vetëm kompani prodhuese është se ne kemi këmbëngulur sepse kemi interes për prodhim”, tha Rezniqi. Sipas tij kompanitë të cilat do të futen në këtë park të biznesit do të jenë të liruara nga çdo lloj obligimi tatimor.

“Këtë na lejon edhe ligji. Ligji mbi doganat thotë se të gjitha bizneset që kanë miratimin e komunës lirohen nga detyrimet doganore të importit”, tha ai. Bizneset të cilat do të arrin të jenë pjesë e këtij pari parashihet që të fillojnë punën në shtator të këtij viti.

Me gjithë insistimin e gazetës zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë nuk kanë dhënë asnjë prononcim lidhur me këtë projekt.

Ndrydhe një tjetër projekt i nivelit lokal që ka për qëllim zhvillimin ekonomik, është ngjallja e tregut në Çarshinë e vjetër.

Zyrtarët e komunës, e pranojnë se ky është një projekt për të cilin thonë se kanë dështuar, por pa fajin e tyre.

Është çështja e zvarritjes së punimeve për renovimin e kësaj çarshie. Drejtori i zhvillimit ekonomik, Rezniqi thotë se edhe pse punët ishin duke shkuar shumë mirë në zbatimin e projektit, ishin presionet politike që sipas tij e ndaluan atë.

“Kishim planifikuar që më 28 nëntor të vitit të kaluar të bëhet inaugurimi. Mirëpo në moment të fundit erdhën presionet politike dhe ankesat dhe u detyruam ti ndërprejmë punimet. Faktikisht kësaj pune i kanë paraprirë disa subjekte politike të cilat nuk kanë dashur të ketë ndryshim në këtë çarshi. Megjithëkëtë ne e pritem vendimin e Ministrisë së Kulturës në të cilin i lejohet komunës së Gjakovë që ta zbatoj projektin që kishim filluar”, tha ai. Sipas Rezniqit ky projekt do të jetë shumë fleksibil dhe i mirëpritur nga qytetarët. “Tash jemi në procedurat e prokurimit, javën e kaluar ishim në prag të nënshkrimit të marrëveshjes me një operator ekonomik mirëpo kemi hasur në një problem pasi që njëra nga kompanitë që kanë konkurruar në tender ishte ankuar në OSHP. Tash jemi të detyruar që të presim përgjigje nga OSHP-ja. Mirëpo në muajin qershor pavarësisht se cila kompani e merr tenderin punimet do të fillojnë”, ka përfunduar ai.

Sa i përket projektit, Rezniqi shton se si model kanë marrë qendrën e qytetit të Shkodrës në Shqipëri, tek pjesa e katedrales.

 Kërkojnë pronat e Erenikut

Me vendim të Këshillit Komunal sërish kjo komunë kërkon që të kthehen pronat e ish Komunës prapë në kompetencat e tyre, të cilat janë menaxhuar me një vendim të përkohshëm nga Kooperativa Ereniku dhe ndërmarrja Ereniku.

“Janë diku 280 hektarë për të cilat është marrë vendimi që t’i rikthehen Komunës, dhe tani po presim që këtë ta miratojnë edhe organet kompetente. Arsyeja pse na duhet kjo është se një investitorë i mundshëm, momentin që po has me pronë të padefinuar, ai po largohet”, tha kryetari i komunës Lekaj.

Numri i bizneseve në Gjakovë

 2006: 581 biznese

2012: 4120 biznese

Papunësia në Gjakovë, sipas Ministrisë së Punës   

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në Gjakovë në vitin 2010 janë regjistruar për kërkim pune 40 mijë persona, në vitin 2011,  30 mijë persona dhe në vitin 2012, 15 mijë veta.  

Ndihmat sociale, sipas Ministrisë së Punës

30 mijë persona në Gjakovë marrin ndihma sociale; Por këtu hyjnë: familjet skamnore, invalidët dhe familjet e dëshmorëve të luftës dhe pensionistët

Investimet kapitale në komunën e Gjakovës

Buxhetit komunal të Gjakovës i kanë kontribuar donacionet nga USAID, CDF, Zyra Austriake, Komisioni Evropian e të tjera, ku së bashku për katër vitet e fundit kanë investuar në projekte kapitale rreth 25 milionë euro.

2010: 5 milionë e 400 mijë euro

2011: 6 milion 300 mijë euro

2012: 6 milion e 700 mijë euro

2013: 6 milion e 600 mijë euro

 

 

 

 

 

 


Komento
Komente (14)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Te nderuar, pa u kthy pronat pronareve (e do te thote qytetareve nese nuk e dini) qe ju ka marre komunizmi (ate qe e shani jo pse nuk e doni o redneka, por nga frika se mos po ju mirren pronat e vejdhura) nuk ka as evrope e as gjakove! nese nuk e besoni atehere keni me e provu. O rreketasha keshtu nuk formohet shteti, por me dashuri dhe pune. E kete e kane pase ata "komunistat e keqi" sipas jush. Mos, fleni dath!
bali
rekomanduar (1)
06 Jun 2013
19:49
 
Dikur ma heret ( Në kohën e komunizmit ), Gjakova pat mbjellë atë që sot po e korrë. Vet diskriminimi i Katunarëve nuk don më shum koment.
Dardani
rekomanduar (0)
04 Jun 2013
17:00
 
Gjakova lere qe nuk eshte perkrahur nga qeveria e Kosoves po edhe kjo qeveri komunale uzurpuese e dhunshme e ardhur nga gllogjani edhe ato pak kompani te intersuara per te investuar i ka shantazhuar dhe rreketuar duke i larguar nga Gjakova...pa u largu kjo kaste krimi nuk ka shpresa as per Gjakove as Kosove...
Sali
rekomanduar (4)
02 Jun 2013
20:00
 
Zonja Gazetare do të ishte mirë të bëni një shkrim për katastrofen ekologjike që është duke ju bërë qabratit nga fabrika e tjegullave e cila shfrytëzon dheun .Erozoion i vërtetë dhe degradim i tokes që do të ketë katastrofa të papara për qytetin .Po të ndodhte kjo në vendin ku jetoj une pronari do të futej në burg të përjetshem.Por ju e merrni në intervistë dhe ai ankohet pasi ka privatizuar fabriken e tjegullave për ca lekë.E cila është themeluar nga SHEQER GREZDA dhe iështë pronare e ligjshme në fakt.
Qabrati
rekomanduar (6)
02 Jun 2013
11:48
 
Sa i përket Fabrikes së tjegullave në GJakovë ajo ka qenë pronë private dhe është themeluar nga FAmilja Grezda. me 1922 dhe është marrë me dekret komunist sllav me dhunë nga pronarët. e ligjshëm .të gjitha pronat e Erenikut janë të pronarëve të ligjshëm dhe janë marrë me dhunë dhe dekrete sllavokomuniste ,për të krijuar ndërmarrjet dhe koperativat bujqësore bolshevike .Këto prona në vend që të ju këthehen pronarëve lexhitimë shiten për ca lekë nga shpellaret lkanorë tek argatet e tyre.Pronat e Komunës Pal Leka kanë emër dhe mbiemër .Gjitha shtu fabrika e tjegullave ka pronaret Skender Bajrami .
Gjakova
rekomanduar (5)
02 Jun 2013
11:32
 
jo qyteti i harruar po qyteti i vjedhur nga mafjozet hajnat e shikut tish qytet i harruar veq gjakove ose i vjedheur let dot ishte po jo more burr e krejt kosova asht shtet i harruar shtet i vjedhura nga banda mafjoze e shikut dhe pdk qe 13 vjet asnji fabrik nuk u ndertur as nji prodhim kosovar nuk e shef me nji shtet evropian qudi kta far hajnash krejt i privatizuan i ban depoja dikush banesa i kan uzurpue si komandante te uçk askush zguxon me jav gjigav as ligjet kishe te kosoves hahaha
syla
rekomanduar (3)
01 Jun 2013
23:42
 
Proka: Nuk e di pse kaq helm per GJakoven se nuk esht qe gjakova ka lyp me nejt ne Jugoslavi Kosova nuk ka pas zgjedhje ne ate. Nese Trepca esht shfrytzu prej shkijeve sote e njeta ndodhe veriu i mitrovices esht nen kontrollin Serb, pse nuk shfrytzohet nga Drenica. Nje fjal e vjeter ne Gjakove Dallap , Dallap cillet dynjaja( toka) vjen prap koha kur ke me qen nen meshiren e Gjakoves do te ishte mire qe Gjakovart te kene me shume meshire ne Drenice. Njerzit qe jetojin sot ne Gjakove nuk kane te bejne asgje me vitet e Titos.
Bilbao
rekomanduar (2)
01 Jun 2013
23:34
 
Ku po i shef Zot. Rezniqi 4120 biznese, kur dihet se ndryshimi nga 2006 me 2012 kjo rritje është fallco pasi keto rritje jane biznese fiktive ne letër por pasive ,te cilat përshkak të byrokracive kane mbetur te regjistruara por jo aktive e të pa mbyllura. Me qene e vertete se punojin 12.000mijë puntorë tani atëherë do té vinin prej komunave tjera të kërkojnë pune, e jo që e gjithe Gjakova jemi ba gati me e leshu qytetin e me dal AZIL ekonomik ne EU se ne Kosovë nuk na pranojin se ska vend per Gjakovarë. prodhuesin e Çokollates ju krerët e komunës e larguat,e ai shkoi ne Prizren,pasi kerkuar ryshfet, e mos ja leni fajin qeveris qendrore,se ju na kenaqet me qeverisje....Shpresojme se fundi ju ka ardhur, nese jo UNE i pari dhe me gjithe lagjen do kerkojme jete me të mirë né ndonjë qytet Evropian...
Qarshia vjetër
rekomanduar (5)
01 Jun 2013
23:02
 
Pergjigje ndaj Prokes,nuk e di sa ti e ke jetuar ate kohe por mire do te ishte te pyesesh me te vjetrit se cfare jete eshte bere atehere e cfare behet tash,atehere ne te gjithe Kosoven eshte jetuar si njeri bile edhe qeni ka bere jete me te mire se njeriu sot.Njerez per ndihma ne te gjitha anet fillo nga Drenica,Llapi,Gollaku,Dugagjini presin perdite.E lehte eshte per ne te flasim dhe te komunikojme prej kompjuterit e te thurrim levdata per politikane,luften qe e paskan bere e paskan bere per shpirt te vetin dhe te femijeve te tyre.Shiko realitetin e fol
petrit
rekomanduar (3)
01 Jun 2013
20:58
 
Po,ne kohen e Komunizmit Gjakova shkelqente ne cdo pikepamje per te kenaqur Fadil Hoxhen e XHavit Nimanin Komunistat e vllaznim Bashkimit me shkije ne kurriz te SHqiptareve.Po harroni se shkijeve ju lane te vjedhin Trepcen 60 vjet. Me te mira
Proka
rekomanduar (0)
01 Jun 2013
17:49
 
Koha po vjen prapa per gjakovaret!
Llapi
rekomanduar (2)
01 Jun 2013
16:08
 
Sot,Kosova është vend i turpit, prandaj ky shkrim i Yti, Sarandë, për pushtetarët tanë lokal e shtetëror është i kotë. Në Kosovë, nuk ka drejtësi e gjyqësi, se ato i bënë i "forti", pra ligji nuk është forcë, por forca është ligj tek ne. Gjakova ka qenë djep i kulturës, i sportit, i dijes në përgjithësi. Kurse, tani, jo vetëm në Gjakovë, por edhe kultura, arti,sporti,etj sundohen nga politika. Sot, kemi jo politika ekonomike, arti,kulture,sporti etj,por sundon ekonomia politike, arti politik,sporti politik,etj.Thjesht, ne populli po bëjmë politikë, kurse politikanët po bëjnë biznes.Kjo, pra është Kosova, vend që po shkon drejtë turpit.Por, fajet i kemi edhe ne Sarandë se jemi në gjumë të thellë arushash si duket.
Nexhdet
rekomanduar (16)
01 Jun 2013
14:05
 
Gazetar i nderuar,ke prekur nje teme te veqant karshi ngjarjeve per ekonomin e Gjakoves.Kjo nuk eshte rastesi,eshte me qellimin me te keq per hakmarrje ndaj ketij qyteti nga ana e qeveritarve dhe rrugaqeris se partis qe fatekeqesisht eshte ne udheheqje.Mirepo ky popull din te duroj deri ne piken e vlimit,sepse nuk deshiron te tregohet primitiv si perfaqesuesit e bandave kriminale te Gllogjanit e te tjereve.Shpresojm se se shpejti Gjakovaret do te kendellen nga kjo letargji e tepruar qe i ka kapluar dhe do te behen prap zot te vetevehtes.
xyz 77
rekomanduar (15)
01 Jun 2013
14:01
 
qekjo osht ma mir ndor t huj set drenices katastrofffffffffff
zeka
rekomanduar (5)
01 Jun 2013
13:10
 
Me shume nga Ekonomia
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
[email protected] | [email protected] | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51