Ditari

Ballina / Ditari / Politikë
Neglizhenca taktike e Beogradit!
Besiana Xharra Publikuar: 22.06.2013 - 11:44

Kanë kaluar më shumë se dy muaj prej se është arritur marrëveshja në Bruksel, më 19 prill ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij serb, Ivica Daçiq për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, mirëpo zbatimi i saj në praktikë nuk po ndodh.Pala serbe po vazhdon të mos tregohet bashkëpunuese në raport me Kosovën, duke kërkuar çdo herë kushte të reja në marrëveshje dhe si përfundim po e bllokon realizimin e saj.

Dy kryeministrat, Thaçi dhe Daçiq, edhe të enjten u ftuan në Bruksel nga baronesha Catherine Ashton, pas dështimit të grupeve teknike për arritjen e pajtueshmërisë për implementimin e marrëveshjes, por nuk u dakorduan për temat kyçe, si për telekomin dhe energjetikën.Ndërkaq u tha se palët kanë arritur një ‘progres konkret’, për çështjet tjera si në fushën e drejtësisë, policisë dhe zgjedhjeve të ardhshme lokale.

Siç bëri të ditur baronesha Ashton, pas këtij takimi, më 28 qershor, pra javën e ardhshme, liderët e Bashkimit Evropian do të marrin një qëndrim vlerësues nëse palët kanë arritur mjaft progres në zbatimin e marrëveshjeve, në mënyrë që Serbia të merr datën e anëtarësimit në BE, ndërsa Kosova të nisë negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA).

Analistët politikë dhe përfaqësues të partive opozitare në Prishtinë presin që liderët e BE-së, më 28 qershor të ndëshkojnë Serbinë për mos zbatim të marrëveshjes, por jo edhe Kosovën e cila ka qenë mjaft bashkëpunuese.Analisti politik Ardian Arifaj, tha për “Zëri”, se këto takime në Bruksel kanë nisur të kthehen në takime të panevojshëm për shkak se pala serbe po e dëshmon qartë se nuk është e interesuar në implementim të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

“Krejt çka po bën pala serbe është të duket bukur para Brukselit. Ne e dimë që temat mbi telekomin dhe energjinë janë diskutuar shumë më herët, dhe nuk është arritur asgjë. Tani Serbia po e paraqet veten me një politike të vjetër, duke kërkuar kushte të reja që nuk janë paraparë me marrëveshje”, tha Arifi.
Serbia është e interesuar vetëm për BE-në, ndërsa në raport me Kosovën vazhdon me qenë kundërshtari më aktiv i saj.“Prandaj, unë pres që me 28 qershor, liderët e BE-së të vlerësojnë punën jo bashkëpunuese të Serbisë, por Kosovës të i japin datën për MSA”, tha ai, duke shtuar se tani e tëra mbetet në dorë të Brukselit që të kushtëzojë Beogradin me marrjen e datës për anëtarësim në BE.

Ndryshe sipas Arifajt, ajo që duhet bërë Qeveria e Kosovës është që të bashkëpunojë më shumë me Kuvendin, që të debatojnë për temat e Brukselit dhe të merret mendimi i deputetëve për ato.Por, Rexhep Selimi, deputetet nga Vetëvendosje dhe nënkryetar i komisionit për Punë të Brendshme tha se këto bisedime nuk janë transparente. Sipas tij, ekzekutivi e përdor Kuvendin vetëm për miratim të marrëveshjeve dhe jo edhe për të diskutuar.

Ndërsa, inkuadrimin e pjesëtarëve serbë në Policinë e Kosovës e konsideron të rrezikshëm për sigurinë e vendit.Vetëvendosje të premten në mëngjes (dje), ka nisur një aksion duke shpërndarë fletushka nëpër të gjitha qytetet e Kosovës, me shpjegimet mbi dëmet e marrëveshjes Thaçi-Daçiq si dhe për të ftuar qytetarët që të bashkëngjiten në demonstratën që do të organizohet në ditën e ratifikimit të marrëveshjes.“Po ashtu, në të njëjta vende do të vendosen disa tabela ku qytetarët mund të shkruajnë mendimet e shqetësimet e tyre mbi kundërshtimin e ratifikimit të kësaj marrëveshjeje”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Por jo edhe partitë tjera opozitare janë kundër politikave të kësaj qeverie.AAK vlerëson se pala kosovare në bisedimet në Bruksel po mbahet mirë, duke mos lëshuar pe dhe bën thirrje që të vazhdojnë me të njëjtin qëndrim.Burim Ramadani, sekretar i përgjithshëm i AAK-së, tha se Serbia çdo ditë po dëshmon se nuk dëshiron t’i ndryshojë qëndrimet e veta, por ajo që është e domosdoshme sipas tij është që pala kosovare të mos lëshojë pe, të jetë e qartë dhe e prerë në qëndrimin e saj.“Kosova duhet të ketë kujdes në kërkesa e Serbisë, të cilat dëmtojnë zhvillimin e Kosovës. Qëndrimet e Serbisë nëse kthehen në marrëveshje e dëmtojnë vendin.Prandaj, qëndrimi ynë është ai që ka qenë edhe më herët, më mirë fare pa marrëveshje se me marrëveshje të dëmshme”, tha Ramadani.

Sa i përket takimit të 28 qershorit, ai tha se Kosova duhet të merr dritën e gjelbër për MSA-në dhe të mos ndëshkohet për shkak palës serbe.
Ndryshe, kryeministri Thaçi, pasi ka dal prej takimit në Bruksel ka thënë para mediave se ai bashkë me Daçiqin kanë arritur pajtueshmëri të përgjithshme për zgjedhjet komunale që do të zhvillohen në vjeshtë, reformën, mënyrën e organizimit të zgjedhjeve, periudhat kohore, e në të njëjtën kohë që do të ftohet edhe OSBE-ja si lehtësuese, menaxhues dhe organizuese e këtyre zgjedhjeve.

Takimi i radhës mes tij e Daçiqit, do mbahet më 8 korrik, në ndërkohë siç ka njoftuar ai, bisedimet do vazhdojnë përmes grupeve punuese, për temat e energjetikës dhe telekomit.Në krye të delegacionit për zbatimin e marrëveshjes, është zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri, e cila për katër raunde me radhë brenda 3 javëve të fundit nuk ka arritur të gjejë zgjidhje me palën serbe mbi këto dy tema.

 


Komento
Komente (2)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Thaci po merret vesh me Dacicin kur me i mbajt zgjedhjet ne Kosove. edhe kjo mundet me ndodh me ket njeri. Hashim Thaci ky administrator serb i derguar ne Kosove
arbeni
rekomanduar (5)
22 Jun 2013
14:18
 
Si duket misioni Hashim Thacit eshte ta integoj Serbine ne Europe sa ma shpejt e ta lej vendin e vet askund . Serbia do ta merr daten per fillim te negociatave ne fund te qershorit pa e bo asnje hap per normalizim te mardhenieve. . Hashimi po e shet Kosoven veq per me dal si njeri i paqes para Europe
arbeni
rekomanduar (4)
22 Jun 2013
14:08
 
Me shume nga Ditari